E RËNDË NË TIRANË/ Qytetari i drejton armën policit të Shqiponjave, efektivi e plagos në këmbë, plumbi zë edhe një qytetare

 

Një ngjarje e rëndë ka ndodhur paraditen e sotme në kryeqytet ku një plagosje ka ndodhur pranë shkollës “Nikel Dardani” në zonën e Xhamllikut. Drejtori i Policisë së Tiranës, Rebani Jaupaj ka informuar se një qytetar i pikasur nga një efektiv me përvojë i patrullës “Shqiponja”, nuk i është bindur kërkesës së policit për të paraqitur kartën e identitetit.

Në këtë moment, qytetari ka nxjerrë armën dhe ia ka drejtuar policit. Efektivi ka vijuar që ta ndjekë me vrap dhe në këtë moment, ai e ka kanosur me jetë. “Largohu ose do të të qëlloj”, ka qenë fjala e qytetarit në adresë të policit.

Në këtë moment, efektivi ka qëlluar në pjesën e poshtme të trupit të qytetarit, siç e kërkon edhe procedura kur qytetari paraqet rrezikshmëri të lartë. Nga dy plumbat, njëri prej tyre ka kapur aksidentalisht edhe një qytetare që po kalonte atje.

Të dy të plagosurit janë në spitalin e Traumës, jashtë rrezikut për jetën. Dyshohet se ky qytetar është një person i shpallur në kërkim, me rrezikshmëri të lartë. Identiteti i tij është i njohur për policinë e Shtetit, por ende nuk është bërë publik. Situata është e ngjashme edhe në Vlorë, aty ku paralelisht është regjistruar një tjetër konflikt me armë zjarri, por fatmirësisht pa të lënduar

REBANI JAUPAJ: Polici i kërkoi mjet identifikimi, kur i kërkoi se çfarë kishte në çantë, qytetari iku me vrap. Polici e ndoqi me vrap dhe qytetari i ka drejtuar armën policit. Ai e ka paralajmëruar që uleni armën. Qytetari ka lëvizur prapë me vrap dhe në kohën kur polici e paraljamëroi që të dorëzohej ai i ka thënë që do të të qëlloj policit nëse nuk largohet. Polici ka qëlluar në drejtim të tij dhe e ka plagosur. Është plagosur në këmbë por ende s’kemi informacion. Një qytetare ka marrë një plumb në këmbë nga punonjësi i policisë. Qytetarin se kemi identifikuar akoma, dyshimet e para janë se është i rrezikshëm dhe i shpallur në kërkim.