Ecejaket e shqiptarëve në shkallët e gjykatave, deri në 10 milionë lekë kostoja e një gjyqi

Në kushte normale vlera që paguan për gjyqin civil është 20.000 – 70.000 lekë të rinj. Por nga gjithë këto zvarritje kostot vetëm rriten duke shkuar në miliona.

Zvarritja e proceseve gjyqësore prej 20 vitesh shkakton kosto që shkojnë mbi 10 milionë lekë të shpenzuara për të marrë një vendim në favor ose jo, por të paktën të arrijnë deri në këtë pikë. Personazhi ynë tregon për Unpublished në Euronews Albania kostot e tij ndër vite nëpër gjykata.

“Në këto 19 vjet kam harxhuar shumë para. Ato shkojnë në mbi 10 milionë lekë avokatëve e letra, por i thonë shumë kohë,” – thotë pronari i tokës Sajmir Maloku.

Profesori Igli Tola na tregon se ku shkojnë shpenzimet e palëve në gjyqe.

“Në lidhje me kostot që lidhen me qytetarët duhet theksuar fakti që shpenzimet kryesore shkojnë për avokatët të cilat janë shpenzime prej qindra mijëra lekësh në varësi të llojit të çështjeve. Fakti i zgjatjeve të këtyre çështjeve krijon kosto të mëdha sidomos në rastin e gjyqeve të pronave,” – thotë profesori Igli Tola.

Nëse flasim me shifra konkrete një gjyq në civile shkon shpesh në vlerën e 500.000 lekëve të rinj ose 5 milionë të vjetër. Dhe kjo artificialisht, pasi shpenzimet bazë janë këto: Dorëzimi i kërkesë padisë që kushton 3.000 lekë, taksa 1% që paguhet, fatura e avokatit, ekspertit apo psikologut. Në kushte normale vlera që paguan për gjyqin civil është 20.000 – 70.000 lekë të rinj. Por nga gjithë këto zvarritje kostot vetëm rriten duke shkuar në miliona. Shto edhe dëmshpërblimin nga pala humbëse, shifrat vijojnë rritjen.

“Sipas legjislacionit shqiptar pala humbëse paguan shpenzimet e gjyqit, por kjo përfshin shpenzime për ngritjen e padisë, avokatin, por ka edhe shpenzime indirekte si humbja e ditës së punës kur shkon në gjyq apo kostot e transportit të cilat nuk kompensohen,” – shprehet profesori.

Këto kosto që profesori përmendi më lart nuk janë vetëm për individët, por edhe për buxhetin e shtetit.

“Kostot direkte, shpenzimet direkte për sa i përket që lidhen me shpenzimet e paditësve dhe të paditurit, por edhe buxheti i shtetit preket nga kjo gjë. Aktualisht kemi mbi 36000 dosje pezull dhe në të gjithë gjykata duke pritur për t’u gjykuar apo rigjykuar,” – thotë profesori Igli Tola për Unpublished në Euronews Albania.

Personazhi ynë tregon zhgënjimin që ka përjetuar nga sistemi i drejtësisë.

“Por jam zhgënjyer shumë edhe nga sistemi, pasi na mbajtën vite e vite me radhë. Aq shumë kam bredhur gjykatave saqë kam krijuar bindjen që aty është një vatër korrupsioni,” – shprehet personazhi ynë.

Procesi i Vettingut shihet nga ekspertët si një arsye më shumë që çon në vonesat në gjyqësore.

“Zgjatja dhe arritja e një zgjidhje është komplekse dhe vitet e fundit ka ardhur për një sërë arsyesh duke filluar nga ndryshimet ligjore, vënia në zbatim e procesit të Vettingut, largimi i gjykatësve apo dhe nga pandemia e tërmeti,” – rrëfen avokatja Evi Kolovani.

Largimi nga sistemi i një pjese të gjyqtarëve është përkthyer në volum më të madh pune për të tjerët. Sipas profesorit Igli Tola duhet gjetur se ku qëndron problemi dhe të zgjidhet.

“Gjyqësori duhet të funksionojë si një institucion privat të caktohen targeti, objektivat dhe secili punonjës të japi llogari për arritjen e objektivave. Duhet gjetur se te cila hallkë e sistemit ka një mosfunksionim,” – tregon profesori.

Pavarësisht të gjitha shkaqeve dhe rrethanave që sjellin fenomenin e zvarritjes dhjetëra vjeçare të gjyqeve, rezultati për qytetarët është i njëjtë; humbje e besimit në sistemin e drejtësisë.

“Dhe nuk jam veç unë në këtë hall, janë edhe mijëra qytetarë të tjerë. Drejtësia nuk funksionon këtu tek ne,” – thotë personazhi ynë Sajmir Maloku. /euronews