I hedhin në erë me eksploziv makinën, kush është prokurori që ka në dorë dosjet e Vettingut

Nuk dihet kush ka qenë objektivi, prokurori Arjan Muça pjesë e KLP-së apo gruaja, Gentiana Muça që është gjyqtare në gjykatën administrative Tiranë, pasi mjeti përdorej nga të dy.

Mbrëmjen e sotme rreth orës 19:30 u hodh në erë me eksploziv makina e prokurorit Arjan Muça. Makina “Mercedez A Class” ka shpërthyer brenda parkimit të qendrës tregtare “Kristal”.

Nga ngjarja te Komuna e Parisit nuk raportohet për të lënduar, pasi makina ishte e parkuar dhe nuk kishte asnjë person brenda.

Nuk dihet kush ka qenë objektivi, prokurori Arjan Muça pjesë e KLP-së apo gruaja, Gentiana Muça që është gjyqtare në gjykatën administrative Tiranë, pasi mjeti përdorej nga të dy.

Policia ka rrethuar zonën dhe ambulanca ka mbërritur në vendin e ngjarjes.

ABC mëson se Arjan Muça ka qenë oficer te prokuroria e Krimeve të Rënda dhe më pas është emëruar prokuror në Gjirokastër. Në muaj e fundit ai ishte komanduar në Tiranë te Këshilli i Lartë i Prokurorisë për sektorin e hartimit të dosjeve, raportet për gjyqtarët dhe prokurorët që kalojnë në Vetting.

Drejtori i Policisë së Tiranës Rebani Jaupaj  deklaroi për mediat nga vendi i ngjarjes se makina ka pësuar dëmtime vetëm në pjesën e përparme. Ai tha se prokurori që e ka në pronësi, Arjan Muça e parkonte prej dy vitesh në vendin ku ndodhi shpërthimi me tritol mbrëmjen e sotme. /abcnews