Edhe ujku i ngopur, por edhe delet tamam !

Nga Redi Shehu

Siç rëndom ndodh me politikën shqiptare, datat 30 tashmë janë kthyer në simbolin e zgjidhjeve të fundit në fundin e kohës. Kështu edhe më 30 Qershor të vitit që shkoi, po ashtu edhe në 30 Korrik të këtij viti. Simbolika e fundit të kohës së afatit politik, tregon për një “art të marrëveshjes” të kthyer në “art të luftës” ku ai që ka mbështetjen më të fortë ndërkombëtare si dhe bën presionin më të madh, është edhe fitimtari. Çështja e analizës së punës së ligjvënësve shqiptarë, është bërë më e ndërlikuar që me braktisjen që opozita politike i bëri Parlamentit duke djegur mandatet në Shkurtin e vitit që shkoi. Postulati i Ambasadores amerikane Yuri Kim se:“..Parlamenti ka kompetencat dhe përgjegjësinë për të marrë në shqyrtim dhe miratuar legjislacionin..” si dhe “..Ata të cilët “dogjën mandatet e tyre”, kanë djegur pretendimet që mund të kishin për kompetenca dhe përgjegjësi në Parlament…” është një përgjigje politike mbi qëndrimin e këtij institucioni në raport me ndryshimet kushtetuese.
Ndërsa, pjesa tjetër e deklaratës së saj, bën thirrje për pjesmarrje në Këshillin Politik të opozitës, por pasi ndryshimet kushtetuese të ishin bërë me aprovimin e opozitës parlamentare, të cilën vetë ambasadorja Kim e pati cilësuar pak javë më parë se :“Ata që qëndruan në parlament bënë gjënë e duhur. Siguruan që demokracia të vazhdonte të funksiononte në Shqipëri”. E kundërta e kësaj deklarate do të ishte, se ata që ikën sabotuan demokracinë në Shqipëri. Prandaj, çështja është e ndëlikuar për shkak se opozita jashtparlamentare është sipas kësaj formule edhe sabotuese por edhe shprehëse e vullnetit të zgjedhësve të vet. Ndërsa opozita parlamentare është edhe shpëtuesve e demokracisë por edhe pa legjitimetet elektoral. E para, mbart peshën politike, ndërsa e dyta, peshën juridike.
Pra, dy entitete opozitare me qëndrimë të kundërta politike, të legjitimuara sipas asaj që thamë më sipër, kërkojnë dy gjëra krejt të kundërta. Për këtë arsye, u pa nga ndërkombëtarët dhe veçanërisht nga amerikanët, se shprehja e vjetër “edhe ujku i ngopur, por edhe delet tamam”, do të ishte formula më e mirë për të pasur një rezultat me dy opozita. Amerikanët lobuan fuqishëm publikisht për të mbyllur “5 Qershorin” dhe lobuan po fuqishëm jopublikisht për të bërë “30 Korrikun”. E para, një marrëveshje për kodin zgjedhor duke futur të gjitha pretendimet e opozitës me qëllim rifutjen e saj në sistem në zgjedhjet e ardhme, e dyta, një “fakt i kryer” kushtetues që pasohet me diskutime mbi kodin në Këshillin Politik. Është njësoj sikur të kesh në të njëjtin televizion dy parashikme të ndryshme të motit, ku tek njera ka ditë për plazh dhe tek tjetra veçse stuhi, dhe të përpiqesh për të dalë me një parashikim, ku të mundësohet edhe të marrësh kotumin e banjos, por në të njëjtën kohë edhe një çadër të vogël dore. Kjo, jo vetem që ndërlikon situatën por ndërlikon edhe vetë zgjidhjen përfundimtare e cila do të duhet të dalë me një konsensus hibrid nga dy opozita.

Në lojë janë proçedurat për të përcaktuar fituesin politik të radhës dhe si përherë në këtë luftë legjitimiteti të ilegjitimes, përdoret si kurdoherë metafora e popullit. Meta, pat thënë në protestën e Marsit të këtij viti se :”zëri i popullit është zëri i Zotit”. Ambasadorja Yuri Kim, sapo u aprovua marrëveshja e “5 Qershorit” nw parlament, pat deklaruar se duhet dëgjuar zeri i popullit për hapjen e listave. Rama thotë dëgjuam zërin e popullit për ndryshime kushtetuese ku përfshihet hapja e listave. Pra, i bie që të gjithë të jenë me zërin e popullit, thënë ndryshe, të gjithë janë me Zotin.

Por, sot Meta thotë se nuk do njohë kryeministrin e ri që do dalë nga një reformë kushtetuese elektorale. Pra, Meta nuk qenka me popullin. Rama thote se do hapim vetëm atë që ngel nga listat e mbyllura te kryetareve. Pra, Rama nuk qenka me popullin që do hapje totale listash. I vetmi qe duket se është me Zotin, pra me popullin, duket Basha i cili i zënë ngusht, hodhi dorashken e 100% te listave te hapura. Përfaqësuesit e BE-së thonë se njohim vetëm 5 Qershorin dhe jo ndryshimet kushtetuese, pra nuk janë për zërin e popullit (Zotit).
Në fund fare, Zoti vete thotë se nuk ndryshoj gjendjen e një populli, nëse ata nuk ndryshojne vetveten. Po, si mund të ndryshohet vetvetja nëse në të njëjtën kohë edhe ujku është i ngopur por edhe numri i deleve të tufës para tij, është i njëjti?

Zgjidhja përmes kësaj formule me dy realitete politike, të cilat duhet të konvergojnë në një rrafsh, është pothuaj e pamundur. Braktisja e mandateve nga ana e opozitës së bashkuar, hapi rrugën që përmes opozitës parlamentare të modifikuar gjenetikisht, të proçedohej me të gjitha projektet e reformës për drejtësi, zgjedhjet një partiake lokale, dhe së fundmi me ndryshimet kushtetuese. E gjitha, ngjan me një hakmarrje amerikane ndaj një akti të papreçedent të bërë vitin që shkoi e cila synonte të kolapsonte pikërisht sistemin dhe të bllokonte çdo gjë. Është pak naive të mendohet se në Shqipëri mund të ndryshosh kushtetutën dhe këtë ta bësh pa dijeninë apo aprovimin e partnerëvë të huaj. Vetë shprehja e ambasadores Kim, pak ditë para ndryshimeve kushtetuese se“..Parlamenti ka kompetencat dhe përgjegjësinë për të marrë në shqyrtim dhe miratuar legjislacionin..” tregon për një mbështetje amerikane për këto ndryshime.
Edhe pse pritet një diskutim i mëtejshëm në Këshillin Politik, ndryshimiet e fundit në kushtetutë hapin rrugën për listat e hapura të cilat automatikisht sjellin nje rikonfigurm të mënyrës se si partitë politike do të paraqiten në zgjedhje. Maxhoranca kërkon heqjen e koalicioneve parazgjedhore duke i dhënë vetes një avatazh në numra. Nëse heqja e koalicioneve do të bëjë që partitë e vogla opozitare të përfshihen në listën elektorale të PD, kjo do të çojë në uljen e ndikimit të demokratëve në këtë listë, pasi duhet ta ndajnë “tepsinë” e tyre 140 kallëpeshe me lloj-lloj aleatësh. Ndërkohë që PS e vetme por, pa koalicione, rrit shanset për të dalë forcë e parë, që do të thotë më shumë mundwsi për koalicione pas zgjedhore. Tani kemi dy realitete. Edhe “30 Korriku” edhe “5 Qershori”. Edhe ujku i ngopur, por edhe delet tamam. Kjo është një ngjarje politike që mund të ndodhë vetëm tek ne, që pas 30 vjetësh vazhdojmë të jemi Afrika e Bardhë e këtyre anëve, ku të tjerët mund të bëjnë lloj-lloj eksperimenti. Megjithatë praktika ka treguar se zakonisht kur ujku ka qenë i ngopur, delet kanë dalë gjithmonë mangut.