Ekologji qeveritare mbi masmediat

Ekologji qeveritare mbi masmediat (Nga Redi Shehu)

Nisma e fundit ligjore e qeverisë, e njohur edhe si “ligji antishpifje, e cila menjëherë pas tërmeteve të fundit erdhi si një shtesë e goditjes psikologjike tek shqiptarët, me të drejtë shkaktoi debate të mëdha si dhe refuzim nga komuniteti i gazetarëvë. Ligje të kësaj natyre, kanë qenë gjithmonë tema të mëdha debatesh në të gjithë botën e standartizuar, sepse  futen në mesin e dy të drejtave kushtetuese në shoqëritë e lira, mes të drejtës për fjalën e lirë dhe të drejtës për t’u mbrojtur nga abuzimi me fjalën e lirë. Për këtë, këto shoqëri, më shumë se sa rregullime ligjore, kanë ndërtuar kalibrime ligjore, për shkak se cënimi i këtyre dy të drejtave themelore është çështje aq e hollë, sa duhet të jetë detyrimisht e kopsitur mirë. Në fund të llogarive, ajo që përcakton kufirin ndarës të tërë kësaj meseleje, është shkalla që ka një vend i caktuar apo një shoqëri e caktuar lidhur me përgjegjshmërinë. Prej këtij përcaktimi pastaj, shihet se si ky vend zhvillon sjelljen publike e për pasojë se si e bën edhe ndarjen mes dobisë dhe dëmit që shkakton liria e shprehjes në raport me dinjitetin njerëzor.

Zakonisht, kur qeveria jonë futet në debate të tilla, e bën këtë e prirur nga nevoja për dominim, nga sensi utilitar, dhe shpesh nuk karakterizohet nga thelbi dhe njohja e lëndës në veçanti. Media dhe komunikimi, shihen prej saj si mekanizma, si mjete përdorimi të shkëputura nga natyra e tyre, shihen të përshtatshme për të mbajtur dhe restauruar pushtetin. Por ama, sot, media nuk trajohet vetëm si formë ndërmjetësimi mesazhesh, ajo prej kohësh po trajtohet dhe kuptohet si një ambient në tërësi, brënda të cilit kultura e popujve kultivohet, rritet dhe përshtatet. Ky ambient i ri, i cili na formëson të gjithëve ne, ka nevojë të pashmangshme për ekologjinë e vet. Ashtu siç çdo ambient natyror nuk është i pastër pa ekologjinë e vet, edhe media tashmë e konceptuar si ambient shoqëror, ka nevojë për ekologjinë e saj. Prej kohesh McLuhan e instaloi këtë term, ai e quajti “media ecology” duke i paraprirë vërtet faktit sot, ku media si ambient përcakton edhe natyrën e shoqërive ideologjikisht, politikisht si dhe i jep ngjyrë organizimit të saj social. Një interaktivitet mes njeriut, teknologjisë të cilët krijojnë një realitet, që si për ironi, transformon vetë njeriun dhe teknologjinë më vonë. Pra, media si ambient dhe ambienti si media.

Brënda kësaj mpleksjeje ta pandashme të natyrës së medias si ambient dhe anasjelltas, futet në mënyrë mekanike një instrument qeverisës, për të përcaktuar ekologjinë e saj. Për të bërë dallimin mes lirisë së shprehjes dhe keqpërdorimit me lirinë e shprehjes, zakonisht merret kriteri i së vërtetës si kriteri ekologjik i këtij ambienti.  Sepse, për sa kohë liria e shprehjes ndodhet në të vërtetën, pra e pasqyron atë, ajo është një liri e virtytshme, racionale, e domosdoshme dhe një e mirë publike që duhet mbrojtur me çdo kusht. Në momentin që ajo del nga ekologjia, pra nga e vërteta përmes shpifjes e ofendimit, atëhere ndodhemi në situatën kur liria humb lirinë e saj të paktën moralisht.

Ligji i fundit, i miratuar nga parlamenti yne i modifikuar gjenetikisht, sanksionin se ekologjinë e ambientit (lexo medias) tonë e përcakton jo e vërteta, por pushteti me mekanizmat e vet si AMA e cila do të ketë të drejtën të përkufizojë të vërtetën. Pra, një produkt politik që kontrollohet gjithmonë nga maxhorancat do i japë ekologjisë së ambinetit tonë certifikatën e pastërtisë. Këtu ka qëndruar thelbi i gjithë kundërshtisë së këtij ligji, i cili pastaj përcakton e dhe masën e dëmit që duhet të paguajë menjëherë i dënuari duke i bërë by pass gjykatave si instancë e parë që duhej të merrej me këtë çështje.

Kemi dy pushtete që përplasen me njëri-tjetrin. Nga njëra anë kemi pushtetin politik, i cili prodhon vazhdimisht padrejtësi, dhe nga ana tjetër kemi pushtetin mediatik që prodhon edhe ai herëpashere padrejtesi. Njëri, përmes mungesës së faktit politik, tjetri shpesh përmes mungesës së faktit mediatik. Në një ambient të ndotur politikisht e moralisht nga keqeverisja, natyra e shprehjes së lirë përcakton edhe vetë karakterin e pushtetit politik, e nëse ka probleme me shpifjen, atëhere, edhe vete pushteti politik është produkt i kësaj shpifjeje ngase ai (pushteti) bën pjesë brënda ambientit tonë ku ekologjia e tij vihet tashmë në dyshim. Nëse në një shtet të standartizuar, shteti ruan ekuilibrin mes dëshirës për t’u shprehur i lirë dhe dëshirës për të qenë i mbrojtur nga shprehja e lirë e të tjerëve, në një shtet si ky i yni, roli ekuilibrues i tij vihet seriozisht në dyshim. Prandaj, gjëja më e mire që kjo qeverisje duhet të bënte, ishte që të lejonte që të forcoheshin gjykatat për të përcaktuar shpifjen.

Nga liria e shprehjes rrjedh i gjithë korpusi i lirive civile të një shoqërie. Cënimi i saj tregon thelbin e vetë pushtetit politik. Liria e shprehjes, si një liri shumë e rëndësishme e korpusit të lirive themelore të njeriut, duhet parë në qënësinë e saj dhe jo si një liçensë publike për ta ekzekutuar tjetrin, por ama, nën këtë pretekst, qeverisja nuk duhet që të kthehet në ekzekutuesin e parë të kësaj liçense. Një shoqëri shihet se sa e avancuar është, duke parë shkallën e përgjegjshmërisë së lirisë. Një shtet shihet sa i standartizuar është, duke parë shkallën e ruajtjes së kësaj përgjeshmërie. Një shoqëri e mirë-rregulluar është ajo shoqëri që dinjitetin njerëzor dhe mirëmbatjtjen e tij e konsideron si detyrë të vazhdueshme dhe të përhershme dhe që nuk lejon që shpifja të adoptojë lirshmërinë e saj në sferën publike dhe për pasojë, në sajë të shpeshtësisë së saj, të kthehet në moral publik dhe politik.

Por, tek ne në fakt, shpifja dhe gjuha e urrejtjes, për shkak të përdorimit të papërgjegjshëm nga politikanët në instatncat më larta të këtij vendi, në mënyrë të vazhdueshme, ka penguar që kjo e jona të transformohet në një shoqëri e mirë-rregullluar. Ambienti ynë, është kthyer në një akuarium ku promotori më i madh i shkatërrimit të mirë-rregullimit, ka qenë përherë pushteti politik. Për këtë arsye, i fundit që mund të përcaktojë të vërtetën e ambientit tone mediatik është politika, dhe maxhoranca me të gjitha mekanizmat që ajo zotëron.