Eksportet e Turqisë arritën nivelin më të lartë në nëntor me 21,5 miliardë dollarë

Ministri turk i Tregtisë, Mehmet Muş, ka bërë të ditur se eksportet e Turqisë arritën nivelin më të lartë në muajin nëntor me 21,5 miliardë dollarë, duke shënuar rritje prej 33,4 për qind nga viti i kaluar, raporton Anadolu Agency (AA).

Në një konferencë për media në Ankara, ministri Muş shpalosi të dhënat tregtare paraprake për muajin e kaluar, duke theksuar se eksportet e Turqisë gjatë periudhës janar-nëntor janë gjithsej 203,1 miliardë dollarë, duke kaluar edhe nivelet para pandemisë së koronavirusit të ri (COVID-19)

Në nëntor, importet e vendit u rritën në 26,8 miliardë dollarë, duke shënuar rritje vjetore prej 26,7 për qind, ndërsa shifra regjistroi rritje prej 22,9 për qind në periudhën janar-nëntor në krahasim me vitin e mëparshëm, duke arritur 242,3 miliardë dollarë.

Ministri tha se mbulimi i importit me eksport në muajin nëntor arriti në 80 për qind, duke shënuar një rritje prej 4 pikë të përqindjes nga muaji i njëjtë vitin e kaluar, duke shtuar se kjo përqindje është 101,2 për qind nëse përjashtohet energjia.