Ekspozitë për promovimin e Shqipërisë nëpërmjet fotografive

Ceremonia e hapjes së eventit pjesë e të cilit është edhe ekspozita me dhjetëra fotografi që promovon vendin është mbajtur në mjediset e Muzeut Historik Kombëtar të Shqipërisë

Kryeqyteti i Shqipërisë ka mirëpritur përsëri këtë vit “Tirana Photo Festival”, një event gjithëpërfshirës i fotografisë në Shqipëri, që përfshin ekspozitë promovuese dhe aktivitete të tjera, raporton Anadolu Agency (AA).

Ceremonia e hapjes së eventit pjesë e të cilit është edhe ekspozita me dhjetëra fotografi që promovon vendin është mbajtur në mjediset e Muzeut Historik Kombëtar të Shqipërisë, me pjesëmarrjen e përfaqësuesve të Bashkisë së Tiranës, të institucioneve të tjera dhe të fotografëve.

Nënkryetari i Bashkisë së Tiranës, Andi Seferi, në fjalën e mbajtur në ceremoninë e hapjes tha se duke parë pjesëmarrësit dhe moshën e tyre, përzgjedhja e fotografive që janë ekspozuar ka qenë sipas tij shumë cilësore.

“Ky edicion pavarësisht kushteve, pavarësisht masave që janë marrë vazhdon. Nga ana tjetër do të thoja që është një moment shumë i bukur për Tiranën tonë, është 100 vjetori i themelimit të Tiranës si kryeqytet dhe mund të jenë marrë foto edhe nga ky këndvështrim. Tirana Photo Festival tanimë ka bërë atë markën e vet, ka bërë emrin e vet dhe është një aktivitet shumë i rëndësishëm për të gjithë fotografët që kanë marrë pjesë”, tha Seferi.

Ai theksoi se “Bashkia Tiranë do të vazhdojë ta mbështesë këtë aktivitet kaq të bukur”.

Ky është edicioni i tretë radhazi i “Tirana Photo Festival”, që organizohet në datat 23 tetor deri më 31 tetor në ambientet e Muzeut Historik Kombëtar, me mbështetjen e Bashkisë së Tiranës.

Qëllimi i këtij eventi është të vlerësojë artin e fotografisë, të motivojë artistët dhe t’u japë atyre një platformë të shprehin talentin e tyre në ekspozitat fotografike.

Gjithashtu synon të promovojë Tiranën dhe qytete të tjera të Shqipërisë përmes artit të fotografisë dhe të edukojë të rinjtë me pasionin për fotografinë, me anë të ekspozitave me fotografi dhe forumeve të diskutimit.