Enkelejd Joti zgjidhet Drejtor i ri i Radio Televizionit Shqiptar

Enkelejd Joti është drejtori i ri i përgjithshëm i Radio Televizionit të Përgjithshëm Shqiptar. Ditën e sotme, Këshilli Drejtues i RTSH-së, me votim të fshehtë të 9 anëtarëve zgjodhën Jotin si drejtuesin e ri të institucionit.

Ai siguroi sipas ligjit shumicën e cilësuar të votave nga të gjithë anëtarët e Këshillit Drejtues që kryen ditën e sotme proceduren statutuore të zgjedhjes së drejtuesit të ri të institucionit mediatik më të madh të vendit.

Kandidatët në garë ishin Enkelejdi Joti, Iris Luarasi, Mimoza Haxhiaj dhe Laureta Roshi.

Vendimi i Këshillit Drejtues erdhi pasi më herët u dëgjuan në seancë publike katër kandidatët që ishin paraqitur si pretendente për këtë detyrë publike.
Kandidatët paraqiten para anëtarëve të Këshillit Drejtues në mënyrë të detajur platformat e tyre, ku përshkruheshin objektivat dhe strategjitë e tyre për drejtimin e Televizionit Publik.

Procedura e zgjedhjes së drejtorit të ri të përgjithshëm u monitorua nga komisioni ad-hoc i ngritur për këtë qëllim dhe respektoi gjithë procedurat që parashikon statuti i Radio Televizionit Publik.

Gara në RTSH nisi pas arrestimit të ish-drejtorit Thoma Gëllçi, nën akuzën e korrupsionit, ndërkohë që postin e drejtuesit e mban përkohësisht Martin Leka, i pavotuar nga Kuvendi.