VV merr vetëm 4 komuna, Albin Kurti: Kemi defekte të brendshme

 Kryeministri i Kosovës dhe kreu i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti ka reaguar pas rezultatit të arritur ditën e djeshme në zgjedhjet lokale në kosovë ku LVV arriti të fitojë vetëm 4 komuna.

Ai tha se shkak për rezultatin u bë fakti që Lëvizjes Vetëvendosje ka disa defekte të brendshme por gjithashtu ndikoi dhe bashkimi i të gjitha partive kundër LVV.

“Rezultati jo i kënaqshëm për neve, vjen si rezultat i defekteve të brendshme që duhet t’i analizojmë ditëve në vijim dhe i bashkimit të të gjithë tjerëve kundër Vetëvendosjes”, ka thënë Kurti.

Kurti ka uruar gjithashtu kryetarët e ri të komunave dhe iu ka premtuar bashkëpunim. Ai theksoi punën e madhe që i priste lidhur me përballjen me krimin dhe korrupsionin.

“Administrimi i procesit zgjedhor të balotazhit nga KQZ ishte shumë i mirë. I uroj të gjithë kryetarët e komunave që u zgjodhën dje, do të kenë shumë beteja dhe punë në përballjen me krimin dhe korrupsionin, posaçërisht në fushën e ndërtimit të egër, ku po shpëlahen para. Unë do të bashkëpunoj me ta në këtë betejë”, përfundoi Kurti.

Raundi i dytë i zgjedhjeve lokale u mbajt të dielën në 21 komuna të Kosovës. Në 17 komunat e tjera, kryetarët e rinj janë zgjedhur në rundin e parë, më 17 tetor. Nga 38 komuna, Lëvizja Vetëvendosje ka fituar katër. Ajo ka humbur edhe garën për kryeqytetin, Prishtinën, dhe për qytetin e dytë më të madh të Kosovës, Prizrenin. Në zgjedhjet parlamentare të shkurtit, ndërkaq, Vetëvendosje ka fituar mbi 50 për qind të votave.