Erdoğan: Diga Ilısu, përgjigjja më e mirë ndaj armiqve të Turqisë

Presidenti i Turqisë, Recep Tayyip Erdoğan tha se “Diga Ilısu është përgjigjja më e mirë që u jepet armiqve të betuar të Turqisë dhe atyre personave të pavetëdijshëm brenda nesh, të cilët njihen për armiqësinë e tyre ndaj vendit dhe popullit të tyre”, raporton Anadolu Agency (AA).

Në një fjalim të mbajtur në ceremoninë e hapjes së Digës Ilısu prof. dr. Veysel Eroğlu dhe centralit hidroelektrik, Erdoğan tha se “Diga Ilısu prof. dr. Veysel Eroğlu dhe centrali hidroelektrik që do të vendosim sot në shërbim është një prej shembujve më konkret të politikës tonë 19 vjeçare për vepra dhe shërbim ndaj popullit”.

“Fatmirësisht kemi përfunduar projektin Ilısu, pavarësisht pengesave që janë nxjerrë para nesh në çdo fazë që nga financimet e deri në sulmet e organizatës terroriste. Nuk kemi harruar dhe nuk do të harrojmë fushatat për njollosje dhe qëllimet e këqija pas këtyre për të penguar projektin Ilısu. Kjo vepër është përgjigjja më e mirë që u jepet armiqve të betuar të Turqisë dhe atyre personave të pavetëdijshëm brenda nesh, të cilët njihen për armiqësinë e tyre ndaj vendit dhe popullit të tyre”, theksoi Erdoğan duke shtuar se projekti Ilısu është një nga premtimet për investim që i kanë dhënë popullit për 100-vjetorin e Republikës.

Erdoğan tha se Diga Ilısu ka një kapacitet për depozitimin e ujit prej rreth 11 miliardë metër kub dhe se për Turqinë do të sigurojë një dobi vjetore prej rreth 3 miliardë lira turke si centrali hidroelektrik i katërt më i madh me fuqinë e vendosur prej 1.200 megavat. “Në qytetërimin tonë uji është jetë. Edhe energjia është një tjetër burim jete i patjetërsueshëm në ditët tona. Diga Ilısu prof. dr. Veysel Eroğlu dhe centrali hidroelektrik janë një projekt që sigurojnë për vendin tonë përfitime të mëdha në të dyja fushat”, tha ai.

Erdoğan theksoi se beson që është shumë më e rëndësishme dhe më kuptimplotë që një vepër e tillë është vendosur në shërbim në një periudhë kur bota dhe Turqia ndodhen përballë kërcënimit të thatësirës që sa vjen e rritet.

“Jemi të detyruar të përdorim të gjithë potencialin për të mbrojtur vendin tonë përballë mungesës së ushqimit të nxitur nga thatësira dhe nga krizat e energjisë të cilat në të njëjtën mënyrë bëhen më të theksuara çdo ditë e më shumë. Nuk mund të tolerojmë humbjen as edhe një pike të vetme të burimeve të ujit të vendit tonë. Është kusht që të rrisim në nivelin më të lartë prodhimin e energjisë së rinovueshme të bazuar në burimet tona. Është e nevojshme që të jemi të përgatitur që tani për të gjitha mundësitë, lidhu me skenarët e errët përpara nesh në periudhën e ardhshme në botë”, potencoi presidenti Erdoğan.

Duke vënë në dukje se përdorimi i burimeve të ujit është një shkak tjetër në vete në aspektin e pakësimit të cilësisë dhe sasisë, Erdoğan tha se më shumë se 70 për qind e burimeve aktuale të ujit përdoren në prodhimin e ushqimeve dhe se kjo situatë nënkupton se çdo negativitet për ujin do të ndikojë edhe në prodhimin e ushqimit.

Erdoğan rikujtoi se Turqia nuk është një vend i pasur me ujë. “Me sasinë vjetore prej 1.340 metër kub ujë të përdorshëm për person jemi në grupin e vendeve që kanë stres për ujë. Simulimet tregojnë se kjo sasi mund të ulet deri në 1.116 metër kub në vit deri në vitin 2040. Edhe reshjet tona mesatare vjetore me 574 milimetra janë nën mesataren botërore. Për këtë arsye ne duhet t’i përdorim në mënyrë efektive dhe me kursim burimet që posedojmë”, tha ai.