Erdoğan hodhi gurthemelin për fabrikën e parë të automjeteve vendase turke

Presidenti Erdoğan tha se ndërtimi i fabrikës pritet të përfundojë për 18 muaj, ndërsa automjeti i parë pritet të prodhohet në tremujorin e fundit të vitit 2022

Presidenti i Turqisë, Recep Tayyip Erdoğan, hodhi sot gurthemelin për fabrikën e parë të automjeteve vendase turke, raporton Anadolu Agency (AA).

“Planifikojmë që të përfundojmë fabrikën në 18 muaj dhe të nxjerrim automjetin tonë të parë nga linja e prodhimit në tremujorin e fundit të vitit 2022”, tha presidenti Erdoğan në ceremoninë e hedhjes së gurthemelit në provincën Bursa.

Erdoğan tha se kanë filluar ndërtimin e një “kompleksi të madh prodhimi me ndërtesa të ndryshme që do të ndryshojnë rrënjësisht perceptimin e një fabrike në mendjen e njerëzve”.

Në këtë fabrikë do të vendosen qendrat e para vendase të projektimit, dizajnimit dhe prodhimit të automjeteve vendase në Turqi.

Erdoğan më tej tha se ai ishte krenar që realizoi një projekt të madh pavarësisht pandemisë së koronavirusit të ri (COVID-19), që ka shkaktuar vdekjen e mijëra njerëzve në të gjithë botën.

Ai gjithashtu tha se është një “hap historik” për të realizuar një ëndërr 60-vjeçare për të prodhuar automjetin vendas.

Më herët gjatë vitit, Gürcan Karakaş, shefi ekzekutiv i Grupi i Iniciatviës së Automobilit të Turqisë (TOGG), tha se fabrika do të fillojë prodhimin masiv në vitin 2022 me një kapacitet vjetor prej 175 mijë njësi.

Në muajin qershor të vitit 2018, pesë gjigantë të industrisë turke, respektivisht Anadolu Group, BMC, Kok Group, Turkcell dhe Zorlu Holding, si dhe organizata ombrellë Unioni i Odave dhe Shkëmbimeve të Mallrave të Turqisë, bashkuan fuqitë për të krijuar nismën TOGG.

TOGG deri në vitin 2030 do të prodhojë pesë modele të ndryshme, respektivisht SUV, Sedan, C-hatchback, B-SUV dhe B-MPV, si dhe do të zotërojë të drejtat e pronësisë intelektuale dhe industriale të tyre.

Fabrika do të ketë 4.323 të punësuar, përfshirë 300 punëtorë të kualifikuar.

Platforma e automobilave elektrike e TOGG-it, e krijuar nga inxhinierët për pesë modelet e automobilit, do të jetë origjinale dhe e patentuar. Platforma do të sigurojë një stukturë për efikasitet maksimal, rehati, qëndrueshmëri dhe siguri.

Automjeti vendas po ashtu do të mbështetet nga qeveria turke me zbritje të taksave dhe stimujve.