Erdoğan: Ne do të vazhdojmë ta zhvillojmë kombin tonë në çdo fushë

"Përderisa Evropa dhe Amerika shkatërrojnë plotësisht demokracinë dhe ekonominë, ne do të vazhdojmë ta zhvillojmë kombin tonë në çdo fushë", tha presidenti i Turqisë

Presidenti i Turqisë, Recep Tayyip Erdoğan, theksoi se do të vazhdojnë ta zhvillojnë vendin e tyre në çdo fushë, raporton Anadolu Agency (AA).

Erdoğan mori pjesë në mbledhjen e kryetarëve lokalë të Partisë Drejtësi dhe Zhvillim (AK Parti) nëpërmjet video konferencës.

Ai tha se kanë për synim vizionin e vitit 2023, ku do të vendosin vendin në 10 vendet më të zhvilluara të botës.

Sipas tij, sot Evropa dhe Amerika nuk kanë aspak lidhje me demokracinë, përveç fjalëve. “Në disa fashizmi, në disa kolonializmi, kurse tek të tjerët sëmundje të tjera ashtu si qelizat kancerogjene, me shpejtësi kanë pushtuar qeveritë e vendit dhe strukturat shoqërore” u shpreh ai.

“Këtë e quajmë demokraci, sepse është koncept i përbashkët në të gjithë botën. Përderisa Evropa dhe Amerika shkatërrojnë plotësisht demokracinë dhe ekonominë, ne do të vazhdojmë ta zhvillojmë kombin tonë në çdo fushë… Ky quhet modeli i Turqisë”, shtoi presidenti turk.

Erdoğan tha se vizionin e tyre për vitin 2053 do ta ndërtojnë sipas këtij modeli.

Ai foli edhe në lidhje me pyetjet të natyrës si “Çka kërkon Turqia në Siri, Libi, Mesdheun Lindor, Afrikë, Ballkan, Kaukaz dhe Azinë Qendrore?”.

Erdoğan shtoi, “Nëse Turqia tërhiqet, a do të gëzojë Siria menjëherë paqen dhe lirinë?… Nëse Turqia i kthen shpinën asaj që po ndodh në Libi, a do t’i dorëzojnë puçistët pushtetin qeverisë legjitime?…” duke theksuar se:

“Nëse ndaj të gjitha këtyre pyetjeve mund të marrin përgjigje me një ‘po’ të sinqertë, do të ishte e nevojshme që ne të rishikonim politikën që ndjekim”.