Hoti: Vendosja e ambasadës së Kosovës në Kuds nuk e ndryshon statusin gjeostrategjik të Kudsit

"Ne duhet të jemi në të njëjtën vijë sa i përket politikës tonë të jashtme, me partnerët dhe miqtë tanë ndërkombëtarë", theksoi Hoti

Kryeministri i Kosovës, Avdullah Hoti, ka thënë se vendosja e ambasadës së Kosovës në Kuds nuk e ndryshon statusin gjeostrategjik të Kudsit, raporton Anadolu Agency (AA).

Hoti, në një tryezë ku u diskutua rreth Marrëveshjes së Washingtonit të nënshkruar më 4 shtator në Shtëpinë e Bardhë në prani të presidentit amerikan Donald Trump, ku edhe u njoftua për njohjen reciproke Kosovë-Izrael, tha se pati disa pakënaqësi nga shtetet e Lindjes për vendosjen e Ambasadës së Kosovës në Kuds.

Sipas tij “Kosova është një vend i vogël dhe vendosja e ambasadës së saj në Jerusalem (Kuds) nuk do ta ndryshojë statusin gjeostrategjik të Jerusalemit (Kudsit)”.

Ai tha se pas pakënaqësisë së shprehur nga Turqia dhe shtetet e tjera nga Lindja për një marrëveshje të tillë, ka pasur një komunikim me ministren e Jashtme të Kosovës si dhe ambasadorët kosovarë në vende të ndryshme për të marrë mendimet e tyre se si është pritur Marrëveshja e Washingtonit në vendet përkatëse.

“Disa (shtete) kanë reaguar siç është rasti i Turqisë, por të tjerat nuk kanë pasur ndonjë reagim shumë kundër. Po mundohemi ta amortizojmë këtë çështje, duke mos e bërë të madhe duke i çuar përpara marrëveshjet që i kemi nënshkruar pa rrahur gjoks në këtë proces. Sepse, në fund të fundit ne duhet të jemi në të njëjtën vijë sa i përket politikës tonë të jashtme, me partnerët dhe miqtë tanë ndërkombëtarë. Na duhen njohjet edhe atyre vendeve që po reagojnë por besoj se shpejtë do të tejkalohet kjo sepse po shkohet në atë drejtim”, theksoi Hoti.

Kryeministri kosovar ka folur edhe për Asociacionin e komunave me shumicë serbe, i cili pritet të diskutohet në takimin e 17 shtatorit në Bruksel midis grupeve të ekspertëve të Kosovës dhe Serbisë.

Ai tha se sa i përket asociacionit, Kosova nuk do të ketë kompromis shtesë përpos marrëveshjeve që deri më tani i ka nënshkruar.

“Kompromisi i Kosovës ka qenë Plani i Ahtisarit, Kushtetuta jonë është komplet kompromis. Në këtë proces kompromis është që ne e kemi marrë një obligim në vitin 2013 me marrëveshjen ku është paraparë dhe asociacioni dhe mandej marrëveshja e Parimeve e vitit 2015: atëherë është bërë kompromisi. Tash kjo marrëveshje nuk hapet, nuk diskutohet Asociacioni i Komunave me Shumicë Serbe. Ajo që diskutohet është që pas nënshkrimit të marrëveshjes finale dhe pas njohjes reciproke, ky (Asociacioni) është obligim që është ratifikuar nga dy të tretat e Kuvendit të Kosovës në vitin 2013”, theksoi ai.

Diskutimi për Asociacionin nesër në Bruksel për presidentin Thaçi i cili reagoi më herët është “fillim i instalimit të Republikës Serbe brenda Republikës së Kosovës”.

Për një gjë të tillë, Thaçi ka kërkuar nga Kuvendi i Kosovës që urgjentisht ta trajtojë këtë hap të Qeverisë së Kosovës në dialogun e Brukselit. Gjithashtu sipas presidentit Kuvendi duhet ta votojë urgjentisht edhe një rezolutë me të cilën kryeministrit i ndalohet të negociojë “për çështje të brendshme të Kosovës dhe për tema që rrezikojnë rendin e brendshëm shtetëror”.