Erdogan: “Puçet ushtarake janë krime kundër njerëzimit”

"Puçet janë krime kundër njerëzimit. Unë përjetova grushtin ushtarak të 28 shkurtit të vitit 1997 dhe jam i vetëdijshëm për të", tha presidenti turk

Presidenti i Turqisë foli kundër grushteve ushtarake të shtetit, veçanërisht atij “postmodern” të vitit 1997 nga forcat e armatosura turke, transmeton Anadolu Agency (AA).

Në një video-mesazh në 24-vjetorin e grushtit të shtetit, Recep Tayyip Erdoğan tha se ai u burgos për leximin e një poezie kur ishte kryebashkiak i Stambollit.

“Pavarësisht nga të gjitha pengesat, unë jam duke i shërbyer me krenari kombit të nderuar turk si presidenti i tij i parë i zgjedhur gjerësisht”, tha ai në videon e postuar në Twitter.

“Puçet janë krime kundër njerëzimit. Unë përjetova grushtin ushtarak të 28 shkurtit të vitit 1997 dhe jam i vetëdijshëm për të”, tha presidenti turk.

Më 28 shkurt 1997, ushtria u përfshi në rënien e qeverisë së kryeministrit të ndjerë Necmettin Erbakan për shkak të pretendimeve për program islam të qeverisë.

Qeveria e Erbakanit u detyrua të tërhiqej pas një takimi të Këshillit të Sigurisë Kombëtare. Partia e tij e Mirëqenies më vonë u shpall e paligjshme. Më pas, në pushtet erdhi një qeveri e re civile në një lëvizje të njohur si grusht shteti “postmodern” i Turqisë.

Dhjetorin e kaluar, një prokuror rekomandoi dënime të përjetshme për dy ish-gjeneralë të përfshirë në grushtin e atëhershëm.

Prokurori kërkoi që 60 të dyshuar, përfshirë Ismail Hakki Karadayi, shefi i atëhershëm i shtabit të përgjithshëm, dhe Cevik Bir, zëvendësi i tij i atëhershëm, të silleshin për gjykim. Rasti përfshin gjithsej 103 të dyshuar.