Kandidatët për deputetët e PS, Rama: Do ripërtërihet me lojtarë të rinj…

"Grupi parlamentar do jetë boshti i skuadrës kombëtare të 25 prillit..."

Kryeministri Edi Rama ka deklaruar se deputetët aktualë të grupit parlamentar do të jenë sërish në listën e PS.

Teksa ka prezantuar disa finalistë të programit “Deputeti që duam”, Rama tha se grupi parlamentar ka qenë vijimisht solid dhe mbështetës për reformat, për vendimmarrjet e vështira dhe për çuarjen përpara të punës përpara dhe se do të jetë boshti i skuadrës sonë kombëtare të 25 prillit

“Skuadra jonë kombëtare po bëhet gati. Fatmirësisht ne ndryshe nga të tjerët nuk kemi mungesë zgjedhjesh. Kemi më shumë lojtarë të aftë për të mbuluar të gjitha rolet se sa vendet në skuadër. Grupi im parlamentar ka shumë profile të përshtatshme për çdo rol dhe gjatë këtyre viteve ka krijuar një bagazh eksperience të vyer që assesi nuk mund të neglizhohet. Është një grup që ka mbajtur ngarkesa të mëdha, momente të caktuara, krejt të pazakonshme për vetë dinamikën e jashtëzakonshme të jetës parlamentare, ku momentet e rënda të tensionit kanë qenë të shpeshta dhe të gjata. Grupi ka qenë vijimisht solid dhe mbështetës për reformat, për vendimmarrjet e vështira dhe për çuarjen përpara të punës përpara. Ky grup do të jetë boshti i skuadrës sonë kombëtare të 25 prillit. Skuadra duhet të jetë në lartësinë e sfidës të ripërtëritjes me lojtarë të rinj, me vajza e djem, gra e burra që sjellin energji të reja, profile të reja, përfaqësuese të një shoqërie që ndryshon me shpejtësi. Gjithashtu formacioni i skuadrës sonë kombëtare, duhet të japë mesazhe të reja, grupmoshave, më të rinjve, grave në mënyrë të veçantë, kategorive të ndryshme sociale. Kjo në fakt ka qenë prirja e kahershme e PS. Besoj se gjatë drejtimit tim, PS e ka konsoliduar këtë prirje. Në partinë tonë nuk ka vend për kasta të pandryshueshme drejtuese, as për piedestale statujash që nuk lëvizin nga pozicionet dhe i përkasin një të shkuare tanimë të largët, sherresh e konfliktesh për kush jam unë e kush je ti. Na duhen deputetë e deputete që ambicien të kenë qëndrimin sa më pranë zgjedhësve. Zgjidhjen e halleve e problemeve të njerëzve në çdo komunitet, pjesëmarrjen sa më të frytshme në parlament, por shumë e rëndësishme kontributin sa më pozitiv në frymën e skuadrës. Skuadra është mbi të gjithë dhe mbi të gjitha egot personale. Për ndeshjen e 25 prillit kemi ndërtuar një proces të ri, inovativ, duke hapur derën për të gjithë ata që kanë ambicie, kurajë, vullnet për t’u bërë pjesë e skuadrës sonë. Kemi pritur 1581 shprehje interesi nga vajza e djem, gra e burra, nga veriu në Jug, nga qyteti e fshati, brenda e jashtë vendit. I falënderoj të gjithë pa asnjë përjashtim. Ka qenë nder për ne që aq shumë individë na kanë ofruar gatishmërinë e tyre për t’u bërë pjesë. Procesi ka kaluar disa etapa. Më vjen mirë që sot takohem me disa nga ata që janë seleksionuar. Këtu bashkë më mua janë dy kolegë që kur ishin fare të rinj në dy faza krejt të ndryshme të historisë së PS u bënë pjesë e skuadrës kombëtare. Erdhën nga dy rrugë krejt të ndryshme por njësoj si ata që vijnë nga rrugë krejt të ndryshme për t’u bërë pjesë e rrugës sonë të përbashkët,. kishin, ndanin, bashkoheshin tek ambicia për të bërë më shumë për të qenë të dobishëm dhe natyrisht për të punuar, kontribuuar, mbështetur të tjerë dhe përmes të tjerëve vetveten për një qëllim të madh dhe të përbashkët. Taulant Balla dhe Erion Veliaj janë këtu me mua. Taulanti është këtu dhe për një arsye tjetër sepse ka qenë shumë aktiv në gjithë procesin e përzgjedhjes së anëtarëve të rinj. Erion në tërësi ka arsye të jetë këtu sot dhe ka fjalët e tij për të thënë në funksion të këtij momenti të rëndësishëm kur skuadra jonë hap dyert për të tjerë siç ishin këta dikur”, deklaroi Rama.