Erdoğan: Turqia është gati për të vendosur agjendë pozitive me BE-në

Në një takim me ambasadorët e vendeve anëtare të BE-së, presidenti turk Recep Tayyip Erdoğan tha se ai pret që të dërguarit të mbështesin "hapjen e një faqeje të re" në marrëdhëniet Turqi-BE...

Presidenti i Turqisë, Recep Tayyip Erdoğan, tha sot se vendi i tij është i gatshëm të vendosë një “agjendë pozitive” me Bashkimin Evropian (BE), duke përdorur një perspektivë afatgjate për të ndihmuar rivendosjen e marrëdhënieve me bllokun, raporton Anadolu Agency (AA).

Në një takim me ambasadorët e vendeve anëtare të BE-së, presidenti Erdoğan tha se ai pret që të dërguarit të mbështesin “hapjen e një faqeje të re” në marrëdhëniet Turqi-BE.

“Është në duart tona të transformojmë me sukses marrëdhëniet BE-Turqi në vitin 2021”, tha ai në takimin në Pallatin zyrtar Çankaya në kryeqytetin Ankara.

Erdoğan përsëriti gjithashtu nevojën që BE të trajtojë kërcënimin e paragjykimeve anti-islame në vendet e tyre, duke shtuar: “Përveç kërcënimit të sigurisë së gati 6 milionë njerëzve që jetojnë në Evropë, islamofobia po kthehet në një vrimë të zezë të vlerave evropiane”.

Takimi me presidentin erdhi pas një takim të ngjashëm midis kryediplomatit turk, Mevlüt Çavuşoğlu, me ambasadorët e BE-së.

Pas një viti ngritjesh dhe rëniesh, udhëheqësit turq kanë thënë se shpresojnë për përparim në marrëdhëniet me BE-në këtë vit dhe presin që BE të ndërmarrë hapa të qartë drejt këtij qëllimi.

Turqia është një vend kandidat për anëtarësimin në BE që nga viti 2005, por përparimi drejt anëtarësimit të saj ka ngecur për vite me radhë.