Erdoğan: Turqia, shteti që më së shumti ka përmirësuar pagat e mësimdhënësve në Evropë në 20 vitet e fundit

Presidenti i Republikës së Turqisë, Recep Tayyip Erdoğan deklaroi se vendi ndan më shumë nga buxheti për arsimin sesa për çdo institucion tjetër dhe se në periudhën e kaluar janë përmirësuar ndjeshëm të drejtat personale dhe standardet e jetesës të stafit mësimdhënës, raporton Anadolu Agency (AA).

“Jemi të vendosur t’i mbajmë shkollat ​​hapur dhe t’u japim nxënësve arsimin më të mirë. Duke ndërmarrë të gjitha masat e nevojshme të hënën ne do t’i kthejmë fëmijët në shkolla”, tha Erdoğan në një ceremoni në Qendrën e Kongreseve Halic të Stambollit.

Me këtë rast, Erdoğan uroi fillimin e vitit të ri shkollor për të gjithë nxënësit dhe 1.137 milionë mësues, përfshirë 20 mijë të sapoemëruar.

Ai rikujtoi se në vitin 2002, Turqia kishte gjysmë milioni mësues dhe se me 700 mijë mësues të rinj, u kapërcye problemi i mungesës së stafit mësimor të nevojshëm për zbatimin e një programi arsimor cilësor.

“Ne kemi ulur mesataren e numrit të nxënësve në klasa në 22. Sipas kësaj mesatare, jemi pothuajse në nivelin e Gjermanisë dhe SHBA-së në arsimin fillor dhe dukshëm përpara Britanisë së Madhe, Francës dhe Austrisë. Gjithashtu arritëm mesataren e vendeve të OECD me 15 nxënës në fillore dhe 13 nxënës në shkollat ​​e mesme për mësues. Stafi i jonë njerëzor i trajnuar, i cili disponon me të gjitha llojet e njohurive dhe aftësive të nevojshme për këtë moshë, ne e shohim si lokomotivën e ekonomisë, shoqërisë dhe demokracisë”, tha Erdoğan.

Ai theksoi se Turqia është vendi që ka rritur më së shumti pagat e mësuesve në dy dekadat e fundit në Evropë dhe shtoi se Turqia është në krye pasi mësuesit kanë numrin më të ulët të orëve të detyrueshme në javë.

“Turqinë e bëmë një shtet ku në masë të madhe kemi shmangur mungesat infrastrukturore në fushën e arsimit si dhe në çdo fushë tjetër”, deklaroi Erdoğan.