Kosovë, 21 viktima dhe 1.278 raste të reja me COVID-19

Autoritetet shëndetësore në Kosovë kanë njoftuar se gjatë 24 orëve të fundit 21 persona të infektuar me koronavirusin e ri (COVID-19) kanë vdekur, duke bërë që numri i përgjithshëm i viktimave nga ky virus të shkojë në 2.605, transmeton Anadolu Agency (AA).

Bazuar në të dhënat e fundit të Institutit Kombëtar të Shëndetësisë Publike në Kosovë (IKSHPK), vendi ka regjistruar 1.278 raste të reja me koronavirus, me çka numri i tyre ka shkuar në gjithsej 151.279.

Në 24 orët e fundit në Laboratorin e Mikrobiologjisë Molekulare në IKSHPK dhe laboratorët privatë janë testuar gjithsej 10.609 mostra të dyshuara për COVID-19, derisa deri më tani janë bërë 1.032.013 teste.

Sa i përket numrit të shëruarve, të dhënat kanë njoftuar për 1.248 raste të reja. Numri i përgjithshëm i të shëruarve deri më tani ka arritur në 122.140 ndërkohë numri i rasteve aktive me COVID-19 është 26.534.

Sa i përket procesit të vaksinimit, në 24 orët e fundit janë dhënë 20.346 doza të vaksinës, ndërsa prej fillimit të vaksinimit në të gjitha qytetet e Kosovës janë dhënë 901.013 doza të vaksinës. Deri më sot 306.287 qytetarë janë vaksinuar me dozën e dytë.