Erdoğan: Ukraina nuk mund të tolerojë luftë, kjo duhet të jetë një gjë e së kaluarës

Presidenti i Turqisë, Recep Tayyip Erdoğan tha se perspektiva e konfliktit në Ukrainë “nuk është e tolerueshme” dhe se luftërat duhet të mbesin një gjë e së kaluarës, raporton Anadolu Agency (AA). “Një pushtim rus i Ukrainës nuk është një qasje realiste”, u tha presidenti Erdoğan gazetarëve gjatë kthimit nga vizita në Shqipëri, duke folur…

Presidenti i Turqisë, Recep Tayyip Erdoğan tha se perspektiva e konfliktit në Ukrainë “nuk është e tolerueshme” dhe se luftërat duhet të mbesin një gjë e së kaluarës, raporton Anadolu Agency (AA).

“Një pushtim rus i Ukrainës nuk është një qasje realiste”, u tha presidenti Erdoğan gazetarëve gjatë kthimit nga vizita në Shqipëri, duke folur për përplasjen aktuale të tensionuar të Ukrainës me Rusinë.

Ai u shpreh se Ukraina nuk është një vend i zakonshëm, por është një vend i fuqishëm, duke shtuar se përpara se të ndërmarrë veprime për Ukrainën, “Rusia duhet të rishikojë situatën e saj si dhe situatën në mbarë botën”.

Duke vënë në dukje nevojën për të diskutuar situatën me presidentin rus Vladimir Putin, Erdoğan theksoi: “Këto rajone nuk mund të tolerojnë më luftën. Nuk do të ishte e drejtë. Duhet ta fshijmë luftën nga historia e politikës”.

Në kohën kur vërehet grumbullim ushtarak rus në kufijtë e Ukrainës, ndërsa vendet perëndimore kërcënojnë me sanksione në rast të veprimit ushtarak, Turqia është në një pozicion unik, pasi gëzon marrëdhënie miqësore edhe me Moskën, edhe dhe Kievin.

Erdoğan tha se politika e Turqisë për një pushtim të mundshëm është e qartë, siç mund të shihet në pozicionin e saj për Krimenë e pushtuar nga Rusia.

Forcat ruse hynë në Gadishullin e Krimesë në shkurt të vitit 2014 ndërsa Putini e bëri zyrtarisht rajonin pjesë të Federatës Ruse.

Turqia dhe SHBA, si dhe Asambleja e Përgjithshme e OKB-së, e shohin aneksimin si të paligjshëm.

Erdoğan tha gjithashtu se do të konsultohej me presidentin e Azerbajxhanit, Aliyev, i cili vizitoi Ukrainën javën e kaluar.

Gazsjellësi “EastMed”

Duke folur rreth çështjeve tjera, Erdoğan komentoi tërheqjen e mbështetjes së SHBA-së nga gazsjellësi “EastMed”, në të cilin Turqia nuk është partner, duke thënë se Washingtoni thjesht po përkulej para realitetit të situatës.

Presidenti turk tha se vendimi i SHBA-së ishte thjesht ekonomik, pasi pa se “asgjë nuk do të vijë” nga projekti.

“Ky projekt nuk mund të realizohej pa Turqinë. Sepse nëse gazi do të shkojë në Evropë nga këtu, kjo mund të ndodhë vetëm përmes Turqisë”, tha Erdoğan.

Ministri izraelit i Energjisë dikur propozoi që Turqia t’i bashkohej projektit të gazsjellësit dhe madje edhe tani, “mund të diskutohen kushtet”, tha Erdoğan, duke theksuar se vetëm me përfshirjen turke është i realizueshëm një tubacion i tillë.

Presidenti turk gjithashtu theksoi disa përparime në marrëdhëniet e trazuara prej kohësh midis Turqisë me Izraelit, duke thënë se ai ka folur me homologun e tij izraelit, Isaac Herzog.

“Kryeministri izraelit (Naftali) Bennett dërgon lajme në një nivel tjetër. Siç e dini, kohët e fundit kam pritur anëtarët e Aleancës Rabinike të Vendeve Islamike në kompleksin presidencial (turk) dhe kemi pasur takime me ta”, tha ai.

“Nëse do të bëjmë politikë, politika nuk është një luftë. Ne duhet ta çojmë politikën në vijën e paqes”, shtoi ai.

SHBA më 11 janar tërhoqi zyrtarisht mbështetjen e saj për projektin “EastMed” ndërsa Ambasada e SHBA-së në Athinë tha se Washingtoni “po e zhvendos fokusin tek ndërlidhësit e energjisë elektrike që mund të mbështesin si gazin ashtu edhe burimet e rinovueshme të energjisë”.

Në vitin 2020, Greqia, Izraeli dhe administrata e Qipros Greke nënshkruan një marrëveshje për të ndërtuar një tubacion gazi natyror prej 1.900 kilometrash në Mesdheun Lindor (EastMed).

Shumë ekspertë thanë se kostoja e përllogaritur e transferimit të gazit natyror do të ishte tre herë më e lirë nëse tubacioni kalon përmes Turqisë.

Megjithëse Ankaraja dhe Tel Avivi kanë shprehur gatishmërinë për të negociuar për një transferim të tillë gazi nëpërmjet Turqisë, bisedimet nuk kanë përfunduar kurrë.