“Vizita e presidentit Erdoğan në Shqipëri do të hapë dyer për bashkëpunime të mëdha në shumë fusha”

Kreu i Presidencës së Turqve Jashtë Vendit dhe Komuniteteve Mike (YTB), Abdullah Eren, me rastin e vizitës së presidentit Recep Tayyip Erdoğan, ka shkruar një artikull për Gazetën Shqiptare me titullin “Bashkë në një histori, bashkë në një të ardhme”, transmeton Anadolu Agency (AA).

Sipas një deklarate me shkrim nga YTB, institucion i Turqisë i cili vepron në fushën e bashkëpunimit kulturor, Eren në artikullin e tij ka thënë se marrëdhëniet mes Turqisë dhe Shqipërisë bazohen në një miqësi shekullore.

Ai ka shkruar se Turqia dhe Shqipëria kanë një histori të përbashkët, një miqësi të vjetër dhe me lidhje shumë të thella, duke theksuar se shqiptarët në kohën e osmanëve kanë arritur poste të larta drejtuese.

Solidariteti që nga koha e osmanëve vazhdon i palëkundur edhe me tej në ditët e sotme, ka thënë Eren.

Ai ka theksuar se sot, Republika e Shqipërisë me Republikën e Turqisë janë dy shtete mike dhe të barabarta.

“Turqia dhe Shqipëria kanë vizionin e tyre në një drejtim të përbashkët në fushat sociale, politike, ekonomike dhe ushtarake. Si në çdo fushë, edhe në fushën e ekonomisë, Shqipëria është partneri më i madh i Turqisë, ku Shqipëria është vendi i investimeve tona më të larta”, ka shkruar kreu i YTB-së.

Eren ka thënë se fakti që presidenti Recep Tayyip Erdoğan po realizon vizitën e tij të parë jashtë vendit në vitin 2022 në Shqipëri, do ta çojë në një nivel më të lartë vëllazërinë ekzistuese mes dy vendeve.

Sipas tij, kjo vizitë do të hapë dyer për bashkëpunime të mëdha në shumë fusha.

“Ne, si Turqi dhe YTB, do të vazhdojmë të shohim kontributet që i kemi dhënë njëri-tjetrit me Shqipërinë gjatë historisë, në përputhje me kërkesat e epokës, për t’i forcuar më tej, jo thjesht për t’i rritur, por për t’i shumëfishuar dhe diversifikuar si kërkesë e miqësisë sonë”, ka shkruar më tej Eren, duke shtuar se që nga themelimi, YTB ka realizuar shumë projekte me qëllimin e forcimit të marrëdhënieve dypalëshe.

Bursat e Turqisë

Eren më tej shkruan se lëvizja arsimore është fushë së cilës i kanë dhënë prioritet në forcimin e marrëdhënieve për brezat e ri të dy shteteve. Programi i Bursave të Turqisë i drejtuar nga YTB, sipas tij, ashtu si në Ballkan dhe mbarë botën, e veçanërisht tek të rinjtë shqiptarë, është tepër i mirënjohur.

Me programin e Bursave të Turqisë, shkruan Eren, aktualisht në universitetet e Turqisë në nivelet Bachelor dhe Master studiojnë 230 studentë shqiptarë.

“Që nga viti 1994 deri më sot, nga Shqipëria në Turqi me bursa të plota në degë të ndryshme kanë studiuar afro 1.000 studentë. Më së fundmi në vitin 2021, nga Shqipëria kanë aplikuar 527 studentë dhe 69 prej tyre kanë fituar të drejtën e studimeve me Bursë të Plotë. Sipas nesh, sa më shumë të rinj të aplikojnë në Bursat e Turqisë, aq shumë shtohen lidhjet ndërmjet shteteve në fushat e politikës, kulturës dhe ekonomisë”, thekson Eren.

Siç shprehet ai, në Shqipëri ka të diplomuar në Turqi që kontribuojnë në pozicione të rëndësishme. Në Shqipëri, thotë Eren, gjenden rreth 400 të diplomuar dhe në vitin 2018 në kryeqytet u themelua Shoqata së Diplomuarve në Turqi, që u bë një vlerë e shtuar institucionale për të dy vendet.

“Në Shqipëri, një tjetër funksion humanitar i Shoqatës së të Diplomuarve në Turqi u pa në vitin 2019. Në vitin e sipërpërmendur, institucione dhe organizata të ndryshme të Turqisë i dërguan ndihma vëllezërve shqiptarë gjatë tërmetit të dhimbshëm që ndodhi në Shqipëri. YTB ​​është një ndër institucionet që dërgon ndihma në Shqipëri nëpërmjet Shoqatës ‘Shoqata e Të Diplomuarve Në Turqi’, ku nga kjo është ofruar ndihmë për shqiptarët që janë të diplomuar në Turqi. I njëjti qëndrim dashamirës i shoqatës është shfaqur edhe në ndihmën e dhënë nga YTB për Shqipërinë me rastin e COVID-19”, ka theksuar kryetari i YTB-së, Abdullah Eren."Vizita e presidentit Erdoğan në Shqipëri do të hapë dyer për bashkëpunime të mëdha në shumë fusha"