“Familja, kyçe në krijimin e komuniteteve të qëndrueshme kundër dhunës dhe ekstremizmit në Kosovë”

Sipas raportit të fundit të QKSS-së, Kosova ende nuk ofron një ambient të lirë dhe të sigurt për të shprehur lirshëm orientimin politik apo fetar të individëve apo komuniteteve "për shkak të paragjykimeve apo stigmës së shkaktuar nga shoqëria"

Qendra Kosovare për Studime të Sigurisë (QKSS) ka publikuar raportin “Indeksi Kosovar i Reziliencës – Ekstremizmi i Dhunshëm në Kosovë: Çfarë mund të mësojmë nga rezilienca në komunitet?”, raporton Anadolu Agency (AA).

Në këtë raport vihet në pah se rezilienca (që nënkupton vetëdijesimin e komunitetit për problemet që atyre ju kanosen dhe veprimet e tyre të përbashkëta në funksion të luftimit të këtij fenomeni), apo rezistenca ndaj ideologjive që ndërlidhen me ekstremizmin e dhunshëm dhe radikalizmin në Kosovë, është e kënaqshme.

Kjo për shkak të, sipas QKSS-së, kontestit të Kosovës, kohezionit të mirë shoqëror, historisë së saj, si dhe mënyrës organike të praktikimit të fesë.

“Pavarësisht se ekziston një bazë e mirë e reziliencës shoqërore, Kosova ende nuk ofron një ambient të lirë dhe të sigurt për të shprehur lirshëm orientimin politik apo fetar të individëve apo komuniteteve për shkak të paragjykimeve apo stigmës së shkaktuar nga shoqëria”, theksohet në raport.

Autori i këtij raporti, hulumtuesi Skënder Përteshi, ka thënë se familja mbetet ndër faktorët kryesorë me ndikim të madh në krijimin e komuniteteve të qëndrueshme kundër dhunës dhe ekstremizmit në Kosovë.

“Në bazë të statistikave që kanë dalë nga individët që kanë udhëtuar në konfliktet e Sirisë dhe Irakut, mbi 50 për qind e individëve kanë pasur lidhje familjare. Do të thotë, në Kosovë, familja është një instrument shumë i rëndësishëm edhe për forcimin e reziliencës por po ashtu edhe për parandalimin e formave të ndryshme të ekstremizmit të dhunshëm. Në bazë të anketës që kemi bërë ne vërehet se ka përplasje ose ndryshim botëkuptimesh brenda anëtarëve të familjes. Gjenerata e re dhe gjenerata e vjetër e anëtarëve që jetojnë brenda një familje kanë botëkuptime të ndryshme për çështje të ndryshme si religjioni a politika”, theksoi Përteshi.

Në pyetjen e anketës e cila është bërë me mbi 1.200 respodentë gjatë muajit maj, se a mendoni që ju dhe komuniteti juaj jeni të diskriminuar apo harruar nga Qeveria e Kosovës: 56 për qind e të pyeturve u shprehën se Qeveria është shumë pak prezente në komunitetin e tyre, 30 për qind e tyre u shprehën se “deri në një masë Qeveria është prezente”, ndërsa pjesa tjetër u shprehën të kënaqur duke thënë se “Qeveria është prezente në komunitetin e tyre”.

Sipas QKSS, rezultat i konflikteve për “kauza fetare” në Siri dhe Irak, rreth 100 qytetarë të Kosovës kanë humbur jetën duke luftuar përkrah organizatave të ndryshme paraushtarake. Njëri nga rekomandimet e QKSS-së për institucionet kosovare është pikërisht hartimi i një manuali për komunitetin dhe familjen që shpjegon mënyrën e reagimit ndaj individëve që kanë shenja të hershme të radikalizmit.

Për shkak të nivelit të ulët të atyre që nuk ndihen të lirë të shprehin orientimin e tyre politik a fetar, QKSS rekomandoi gjithashtu mbështetje dhe promovim më të madh të iniciativave lokale për diversitetin në nivel të komunitetit, me qëllim të një ambienti më të sigurt.