FIFA merr vendimin përfundimtar për Ekuadorin në finalet e Botërorit “Katar 2022”

Ekuadori siguroi në fushë kualifikimin në Botërorin e Katarit, por garimi në turneun më të rëndësishëm për kombëtare u vu në rrezik nga Byron Castillo.

Dyshohet se 23-vjeçari ka falsifikuar certifikatën e lindjes, skandal që është mbuluar nga Federata e Futbollit të Ekuadorit, ndërkohë që FIFA nisi një hetim në lidhje me këtë ngjarje.

Castillo luan si anësor i djathtë dhe dha kontributin e tij në tetë ndeshje në kualifikueset e Kupës së Botës. “Sportsmail” zotëron një regjistrim audio të një interviste që futbollisti u dha hetuesve katër vjet më parë, teksa deklaronte qartësisht se ka lindur në vitin 1995 dhe jo në 1998, siç shkruhet në certifikatën e tij të lindjes ekuadoriane.

Ditën e sotme, Komiteti i Apelit në FIFA dha vendimin e saj në lidhje me ankimimet e Kilit dhe Perusë, duke hedhur poshtë akuzat në lidhje me Byron Castillo. “Pas analizimit të dokumentacionit të marrë nga palët dhe mbajtjes së seancës përkatëse, Komisioni i Apelit ratifikoi vendimin e Komisionit Disiplinor për mbylljen e hetimeve për çështjen e nisur ndaj Federatës së Futbollit të Ekuadorit.

Bazuar në dokumentacionin e marrë, është vlerësuar se lojtari duhet të konsiderohet si mbajtës i kombësisë së përhershme ekuadoriane, në përputhje me nenin. 5, paragrafi numër një i Statutit të FIFA-s”, lexohet në vendimin e marrë ditën e sotme. Ekuadori është pjesë e grupit A, aty ku do të ketë kundërshtarë vendasit e Katarit, Holandën dhe Senegalin.