FIFA nënshkruan siguracionin për Kupën e Botës Katar 2022 për 900 mln $

Në rast anulimi, ndërprerje apo braktisje të Kupës së Botës, FIFA do të rrezikonte të ekspozohej potencialisht ndaj pretendimeve ligjore

FIFA ka nënshkruar siguracionin për Kupën e Botës Katar 2022. Informacioni vjen nga faqet e bilancit të 2020, të sapopublikuar. FIFA shkruan se “volumi maksimal i siguracioneve” është 900 milionë dollarë.

Modeli i biznesit të FIFA-s mbetet ngushtësisht i varur nga kompeticioni katërvjeçar, që do të zhvillohet për herë të parë në vitin 2022 në dimër, në Hemisferën e Veriut. Sipas bilancit “pozicioni financiar i FIFA-s varet nga suksesi i kompeticionit të Kupës së Botës FIFA, pasi thuajse gjithë marrëveshjet me partnerët e saj tregtarë lidhen me këtë ngjarje. Në rast anulimi, ndërprerje apo braktisje të Kupës së Botës, FIFA do të rrezikonte të ekspozohej potencialisht ndaj pretendimeve ligjore”.

FIFA parashikon se të ardhurat totale në vitin 2022 do të jenë 4.67 miliardë dollarë. Më shumë se gjysma, 2.64 miliardë dollarë – mendohet se do të vijë nga të drejtat e transmetimit; 1.35 miliardë të tjerë nga të drejtat e marketingut; 500 milionë nga të drejtat e mikpritjes dhe nga shitja e biletave.

Organi drejtues planifikon të investojë më pak se 1.7 miliardë dollarë në kompeticion. FIFA deklaroi se e ka nënshkruar siguracionin në vitin 2019, përpara përhapjes globale të pandemisë së koronavirusit, që vijon të godasë sportin e nivelit të lartë dhe ka detyruar tifozët ndërkombëtarë të përjashtohen nga Lojërat Olimpike të Tokio 2020, të cilat janë planifikuar më vonë këtë vit.

Deklarata e plotë në lidhje me siguracionin vijon: “Në vitin 2019, FIFA nënshkroi një policë sigurimi për Kupën e Botës FIFA 2020. Vëllimi maksimal i siguracioneve është 900 milionë dollarë, i cili mbulon edhe kostot shtesë të FIFA në rast anulimi, shtyrje dhe / ose zhvillimit në një vend tjetër të kompeticionit.

Në këto rreziqe përfshihen edhe katastrofat natyrore, incidentet, trazira, luftë, akte terrorizmi dhe sëmundje të transmetueshme”. /monitor