Izolimi 5-ditor për Pashkë, Merkel tërheq propozimin, iu kërkon falje qytetarëve

Merkel kërkon falje dhe pranon se ka gabuar në planifikimin e një “lockdown-i” 5-ditor të vendit gjatë periudhës së Pashkëve.

“Është e rëndësishme ta pranojmë, një gabim, duhet cilësuar si i tillë, e mbi të gjitha duhet korrigjuar sa më shpejt”, u shpreh kancelarja gjermane Angela Merkel.

Merkel kërkon falje dhe pranon se ka gabuar në planifikimin e një “lockdown-i” 5-ditor të vendit gjatë periudhës së Pashkëve. Në një fjalim, pasditen e së mërkurës, kancelarja gjermane rrëzoi propozimin i cili nxiti kritika dhe konfuzion në vend.

“E di se propozimi ka shkaktuar pasiguri të mëtejshme, më vjen keq, e për këtë u kërkoj falje të gjithë qytetarëve”, u shpreh ajo.

Pas një takimi maratonë me liderët e 16 landeve të gjermanisë ditën e hënë, Merkel njoftoi zgjatje të izolimit të pjesshëm deri në 18 prill, dhe ashpërsim të masave nga 1 deri në prill, me qëllimin për të frenuar një vale të re të mundshme të pandemisë, transmeton A2News.

Propozimi ngriti pikëpyetjet e epidemiologëve, asocacioneve të biznesit dhe vetë pjesëtarëve të bllokut politik të Merkel. Sipas planit, të gjitha dyqanet dhe biznese do të mbylleshin për 5 ditë gjatë pashkëve, ndërsa dyqanet e ushqimeve do të hapeshin për pak, të shtunën në prag të Pashkëve, propozim ky, që për shumë do të ndikonte në grumbullime massive para supermarketeve.

Teksa e tërhoqi propozimin, Merkel tha se kishte pasur qëllime të mira, ndërsa pranoi se gabimi ishte i saj. Një sërë shtetesh të tjera përfshirë Holandën e Norvegjinë, kanë zgjatur kufizimet mes rritjes së infektimeve. Eurokomisionerja për shëndetësinë Stella Kyriakides paralajmëroi se pandemia po përkeqësohej në shumë shtete, ku vërehet rritje e rasteve, hospitalizimeve e vdekjeve nga covid-19.