Fiton botërorin e mundjes, rusi valëvit flamurin “kuqezi” në mes të Beogradit!

Atleti me origjinë çeçene, por me shtetësi ruse, që përfaqëson Shqipërinë në mundje, Zelimkhan Abakarov ka fituar medalje ari, duke u shpallur kampion bote dhe duke ngritur flamurin “Kuq e Zi” në mes të Beogradit.

Në një postim në rrjetet sociale, Komiteti Olimpik Kombëtar Shqiptar, bën me dije se Abakarov fitoi në përballjen me amerikanin Thomas Patrick Gilman, ndërsa dominoi në çdo sekondë ndeshjen.

“Në majë të Botës dhe medalje ari për mundjen shqiptare. Zelimkhan Abakarov fiton në finalen e madhe, duke munduar amerikanin Thomas Patrick Gilman dhe valëvitur flamurin kuqezi në mes të Beogradit. Mundësi shqiptar dominon në çdo sekondë të ndeshjes, duke e merituar plotësisht medaljen e artë e duke u shpallur kampion Bote në peshën 57 kg. E jashtëzakonshme, sepse për herë të parë në mundje, një sportist shpallet kampion Bote për Shqipërinë.”-shkruan KOKSH.