“Mbështetjen më të ulët financiare për shtresat në nevojë”, deputeti i PD akuza qeverisë: Do ndajë me klientët e saj 500 mln euro

Deputeti i Partisë Demokratike, Dashnor Sula, në një reagim të bërë së fundmi në Facebook, thotë se të ardhurat shtesë në buxhet nga rritja e çmimeve pritet të jetë 500 milionë euro, por “ato para kjo qeveri do i ndaj me klientët ndaj nuk mbeten për qytetarët”.

Ai shton më tej se “ashtu si edhe për pandeminë Covid-19 edhe për përballimin e krizës së çmimeve të larta pas luftës në Ukrainë, qeveria shqiptare ka dhënë mbështetjen më të ulët financiare për shtresat në nevojë në raport me Prodhimin e Brendshëm Bruto (PBB) në krahasim me vendet e tjera të Rajonit”

Reagimi i plotë:

Më 6 qershor të këtij viti kam publikuar këtu në adresën time të facebook një grafik të Bankës Botërore ku theksonte se paketa që përfshin mbështetjen kundër krizës së ushqimeve në Shqipëri ishte sa 0.3% e Prodhimit të Brendshëm Bruto, ndërsa në Maqedonia e Veriut kishte paketën më të madhe antikrize me 3.6 për qind të PBB, ku një pjesë e saj 1.5 % ishte në formën e përjashtimeve nga taksat, 0.3% përfitime sociale dhe 1.9 për qind subvencione të drejtpërdrejta.

Serbia akordoi 2 % të PBB për paketën e krizës së çmimeve ku 1 për qind ishin pagesa sociale dhe 1 % përjashtime nga taksat. Kosova dha gjithashtu 0.7% të PBB-së së saj ku, 0.3 % ishin subvencione dhe 0.4% e PBB-së ishin transferta sociale.

Ne ishim vendi i fundit në rajon dhe në Evrop sigurisht për ndihmën e akorduar nga qeveria për qytetarët e vetë. Ndërkohë gjatë gjithë verës edhe ajo ndihmë në formë lëmoshi 30 mijë lek në muaj u hoq fare, sikur në verë të mos kishte krizë. Ndërkohë që statistikat tregonin se inflacioni ndryshonte nga mëngjesi në darkë.

Në fillim të Shtatorit nisi propaganda për paketën e radhës por që në fakt rezultoi një tallje e madhe. Rama nuk ua dha më as atë 30 mijë leksh pensionistëve dhe familjeve në nevojë, por u shtoi atyre vetëm 330 lek të vjetër në ditë. Me çmimet e reja, Rama shtoi vetëm 3 te prera buke në sofren e pensionistëve.

Kryeministri tentoi të manipulonte opinionin publik sot në shfaqjen e radhës, por çështja është ekonomike dhe në fund të ditës pensionistët e ndiejn se me atë pension nuk mund të marin as bukën e jo më të mendojnë për gjellën shoqëruese.

Smund ta krahasoj veten me Kosovën. Sepse vëllezrit tanë edhe pse si shtet më të varfër se ne, pensionistëve i japin 100 euro në muaj shtesë ndërsa Rama 12 euro shtesë në fund të muajit.

Siç e ka konfirmuar vet ministrja Ibrahimaj, të ardhurat shtesë në buxhet nga rritja e çmimeve pritet të jetë 500 milionë euro, por ato para kjo qeveri do i ndaj me klientët ndaj nuk mbeten për qytetarët.

Ashtu si edhe për pandeminë Covid-19 edhe për përballimin e krizës së çmimeve të larta pas luftës në Ukrainë, qeveria shqiptare ka dhënë mbështetjen më të ulët financiare për shtresat në nevojë në raport me Prodhimin e Brendshëm Bruto (PBB) në krahasim me vendet e tjera të Rajonit. Kjo është e vërteta.