Fluturimet në RINAS rinisin nesër, sot vijnë vaksinat/ Arrestohen 3 kontrollorë, i fundosin mesazhet në ‘WhatsApp’, mbi 20 të shoqëruar gjatë mesnatës! Rama sulmon presidentin, Meta kërkon auditim nga KLSH (ZHVILLIMET)

Pasagjerët do të mund të nisin fluturimet nga nesër. Kur kanë kaluar më shumë se 24 orë nga protesta e kontrollorëve në Rinas, sot do të nisin fluturimet e esenciale, ndërsa në orën 15:00 do të mbërrijnë vaksinat anti-COVID. Policia dhe Prokuroria kanë nisur hetimet, duke prangosur tre prej kontrollorëve, ndërsa presidenti Meta ka kërkuar auditimin e plotë të "Albcontrol". Për situatën, nuk kanë munguar as sulmet politike.

Nesër në mëngjes aeroporti i Rinasit do të rikthejë si normalisht fluturimet! Aeroplani i parë komercial që do të ulet në pistën e Rinasit është ai i “Air Albania”, i cili vjen nga Stambolli. Megjithatë që sot kanë nisur fluturime emergjente, ku edhe përfshihet ardhja e vaksinave anti-COVID. Në orën 15:00, në pistën e Rinasit do të mbërrijnë dozat e porositura nga Pfizer.

Lajmi për rikthimin në normalitet të fluturimeve e ka dhënë ministrja e Infrastrukturës dhe Energjitikës, Belinda Balluku, por nuk ka sqaruar mënyrën si do të kontrollohet hapësira ajrore. Një opsion është zëvëndësimi i 65 kontrollorëve shqiptarë nga të huaj, pasi MIE ka kërkuar ndihmë edhe nga NATO. Ndërkohë që siç e paralajmëroi edhe ministrja Balluku, për kontrollorët kanë nisur hetimet, mdërsa në pranga kanë përfunduar 3 prej tyre, të cilët akuzohen për “shpërdorim detyre”.

Janë prangosur kreu i Sindikatës, Armando Fezga, përgjegjësja e turnit, Flora Ndreca dhe Muhin Mezini. Ndërsa mbi 20 të tjerë janë shoqëruar në Polici gjatë natës për t’u marrë në pyetje, ndërsa më pas janë lënë të lirë. Për tre punonjësit e mësipërm, provë është konsideruar biseda me njëri-tjetrin në ‘Whatssup’, ku ka edhe diskutime për për organizim të grevës dhe për mbylljen e aeroportit. Në materialin e ‘zbardhur’ nga Dosja.al, lexohet se kontrollorët kishin prenotuar dhoma Hoteli në momentin që do të nevojitej fjetja në hotel. Në fund të shkresës, i ndaluari Armando Fezga, ka kundërshtuar procesverbalin. I njëjti akt është bërë edhe nga i ndaluari Muhin Mezini, i cili ka dhënë “leksione” për nënshkrimin e paaftësisë së përkohshme.

Kaosi i krijuar nga situatë në Rinas ka sjellë reagime të forta nga politika. Kreu i qeverisë Edi Rama nga Dropulli ka insistuar se gjithçka është inskenuar nga dyshja “Berisha & Meta”, ndërsa kreu i shtetit ka kërkuar nga Kontrolli i Lartë i Shtetit që të auditojë shoqërinë “Albcontrol”.  Kreu i opozitës Lulzim Basha, nga ana tjetër e konsideron situatën në Rinas si një dështim të një njeriu që vuri veten mbi shqiptarët, duke nënkuptuar kreun e qeverisë.

Kërkesat e kontrollorëve
– Rikthim i kolegëve në punë;
– Shfuqizim i vendimeve të bordit;
– Rikthimi i pagës së plotë sipas kontratës kolektive;
– Transparencë financiare e plotë për vitin 2020;
– Një anëtar sindikate të jetë anëtarë bordi.

Situata e krijuar, kur jo më shumë se 2 javë na ndajnë nga zgjedhjet parlamentare, ndaj për të ruajtur sigurinë e vendit në aeroportin e Rinasit ka zbarkuar ushtria dhe FNSH-ja për të marrë në mbrotje gjithë objektin, duke rritur kështu edhe vigjilencën.