Formohet qeveria e re në Serbi

Kryeministrja Brnabiq theksoi se përparësitë e qeverisë së re janë luftimi i pandemisë, çështja e Kosovës, luftimi i krimit të organizuar, sundimi i ligjit, përshpejtimi i procesit të reformës dhe forcimi i ekonomisë së vendit

Deputetët në Parlamentin e Serbisë votuan qeverinë e re, të kryesuar nga kryeministrja Ana Brnabiq, pas zgjedhjeve parlamentare të mbajtura në vend më 21 qershor, raporton Anadolu Agency (AA).

Qeveria e re përbëhet nga Partia Progresive Serbe (SNS), Partia Socialiste e Serbisë (SPS) dhe Bashkimi Patriotik Serb (SPAS).

Nga 232 deputetë që morën pjesë në votim, 227 mbështetën qeverinë e re, ndërsa pesë deputetë votuan kundër saj. Anëtarët e kabinetit të ri bënë një betim pas votimit.

Kabineti i ri qeveritar do të ketë 21 ministri, përfshirë tri ministri të reja.

Duke njoftuar programin qeveritar, kryeministrja Brnabiq theksoi se përparësitë e qeverisë së re janë luftimi i pandemisë, çështja e Kosovës, luftimi i krimit të organizuar, sundimi i ligjit, përshpejtimi i procesit të reformës dhe forcimi i ekonomisë së vendit.

Brnabiq përmendi faktin se 11 gra do të jenë pjesë e qeverisë së re, së bashku me të.

Ndryshe, në zgjedhjet e mbajtura më 21 qershor, SNS, e kryesuar nga presidenti Aleksandar Vuçiq, mori 60 për qind të votave në zgjedhjet e mbajtura nën hijen e pandemisë dhe thirrjeve të opozitës për bojkot.