Krerët shtetërorë të Kosovës urojnë Ditën e Republikës së Turqisë

"Në emër të popullit të Kosovës, unë i shpreh urimet tona më të mira për prosperitet Presidentit Recep Tayyip Erdoğan, Qeverisë dhe popullit të Turqisë", ka shkruar presidenti Thaçi

Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi dhe kryeministri Avdullah Hoti kanë uruar popullin e Turqisë për nder të 29 tetorit – Ditës së Republikës së Turqisë, transmeton Anadolu Agency (AA).

Presidenti Thaçi, në një shkrim në rrjetet sociale, të cilin e ka shoqëruar me fotografi të takimit të tij me presidentin turk Recep Tayyip Erdoğan, ka thënë se Kosova është krenare që feston me Turqinë “si një mik dhe aleat i ngushtë”.

“Në këtë Cumhuriyet Bayramı (Festë të Republikës), Kosova është krenare që feston me Turqinë si një mik dhe aleat i ngushtë. Në emër të popullit të Kosovës, unë i shpreh urimet tona më të mira për prosperitet Presidentit Recep Tayyip Erdoğan, Qeverisë dhe popullit të Turqisë”, ka shkruar Thaçi.

Popullin turk e ka uruar edhe kryeministri i Kosovës, Avdullah Hoti, përmes një shkrimi në rrjete sociale.

“Me rastin e Ditës Kombëtare të Republikës së Turqisë, kam nderin dhe kënaqësinë t’ju përcjellë përzemërsisht urimet më të mira për popullin e Republikës së Turqisë”, shkroi Hoti.

Më herët, edhe ministrja e Punëve të Jashtme dhe Diasporës, Meliza Haradinaj-Stublla, urui popullin turk për Ditën e Republikës. Në urimin e saj, ajo shprehu nderime të veçanta për mbështetjen e Turqisë ndaj vendit të saj si dhe theksoi se Kosova është e përkushtuar për thellimin e bashkëpunimit bilateral dhe diplomatik me Turqinë.

Turqia kremton sot 97-vjetorin e themelimit Republikës. Më 29 tetor të vitit 1923, Mustafa Kemal Atatürk zyrtarisht shpalli emrin e kombit dhe statusin e vendit si republikë. Më pas u zhvillua një votim në Asamblenë e Madhe Kombëtare dhe Atatürk, me votim unanim u zgjodh presidenti i parë i Republikës së Turqisë. Që atëherë, Turqia feston Ditën e Republikës çdo 29 tetor.