Gazetarja e Birn: 40 kompani vërtiteshin rreth kontratave koncesionare! 11.6 mld lekë për inceneratorin e Elbasanit dhe të Fierit. Tirana në pikëpyetje

Gazetarja e Birn Aleksandra Bogdani, ndërsa foli për inceneratorët u shpreh se janë listuar rreth 40 kompani që vërtiteshin rreth kontratave për koncesionet.

Bogdani e ftuar në ‘Opinion’ theksoi se për inceneratorin e Elbasanit dhe të Fierit kanë shkuar rreth 11.6 miliardë lekë, ndërsa shtoi se pikëpyetja qëndron për inceneratorin e Tiranës pasi nuk dihen se kush janë pronarët, por dihet vetëm që kompania offshore ka ardhur nga Holanda.

“Janë disa kompani dhe kjo ka qenë hija e misterit. Janë të njëjtit njerëz dhe shumë kompani. Janë listuar mbi 40 kompani që vërtiteshin rreth kontratave koncensionare. Kanë lidhje me tre koncesione dhe disa njerëz të tjerë që lidhen me këto koncesione. Kanë dalë emrat e Stela Gugalli dhe Klodian Zoto, po ashtu edhe një emër tjetër, partner i Stela Gugallit që është edhe hallka lidhëse me persona politike, të paktën me zotin Ahmetaj është ekspozuar. Ka akuza të tjera për persona të tjerë. Janë 11.6 miliardë lekë që kanë shkuar për Inceneratorin e Elbasanit dhe të Fierit. Pikëpyetja është për Tiranën sepse pronarët janë të panjohur, kompania offshore ka ardhur ka Holanda. Nga të dhënat që kemi mbledhur janë të njëjtë që administrojnë inceneratorin e Tiranës. Ne dokumentuam lidhjen e Mirel Mërtirit me zotin Ahmetaj. Dokumentuam si ishin krijuar këto kompani. Nga viti 2010 fillimisht kanë qenë tek ujësjellësit…Kanë nisur në Fier dhe është shtrirë tek disa ujësjellës që më pas shkuan në falimentim dhe pas asnjë të dënuar. Nga kjo doli që i njëjti grup personash shkuan në Elbasan për të marrë kontratë ujësjellësi dhe dolën me incenerator…”, ka thënë ajo.