Presidentja Osmani: Ne do të ecim përpara si shoqëri vetëm kur të gjithë bashkërisht luftojmë diskriminimin

Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani ka marrë pjesë në mbledhjen e 12-të për këtë vit të Këshillit Konsultativ për Komunitete, raporton Anadolu Agency (AA).

Në fjalën e saj përballë anëtarëve të këtij këshilli, presidentja Osmani tha se ky mekanizëm është një nga zërat më të rëndësishëm të komuniteteve në Kosovë.

Ajo tha se komunitete të caktuara përballen me probleme të natyrave specifike dhe jo gjithnjë sfidat janë të njëllojta. Për këtë arsye, sipas saj, institucionet synojnë përveç garantimit të të drejtave dhe lirive të tyre, të ndërtojnë edhe politika shtetërore përmes të cilave rregullohen problemet specifike me të cilat përballen komunitetet.

“Punësimi, edukimi dhe zhvillimi socio-ekonomik janë disa nga sfidat e përditshme të të gjithë qytetarëve pa dallim etnie. Si presidente e vendit së bashku me institucionet e tjera do të punojmë që këto probleme të eliminohen në veçanti për grupet që ndihen më të margjinalizuara dhe që ballafaqohen me këto problem në masë shumë më të madhe, e siç e dimë, pandemia i ka vënë në pah shumë më shumë këto sesa në vitet paraprake”, tha Osmani.

Presidentja e Kosovës tha se diversiteti është një ndër vlerat kryesore të Kosovës dhe si e tillë kjo vlerë do të kultivohet edhe më tej me përkrahje institucionale.

Osmani ftoi anëtarët e këtij këshilli të jenë sa më aktiv në punën e tyre dhe inkurajoi që të takohen sa më shumë me qytetarë për artikulimin e kërkesave të tyre, ndërsa rekomandimet e këtij këshilli do të përkrahen nga Zyra e Presidencës së Kosovës.

“Përfundimisht Republika jonë edhe këtë vit ka parë raste të diskriminimit ndaj komuniteteve të caktuara, në veçanti ndaj komunitetit rom, komunitetit ashkali dhe komunitetit egjiptian. Kjo jo vetëm që është e papranueshme por tregon se ne do të ecim përpara si shoqëri vetëm kur të gjithë bashkërisht, pavarësisht a jemi në institucione publike apo thjeshtë anëtarë të kësaj shoqërie, luftojmë diskriminimin duke ditur se ai e ndalë ecjen përpara të shoqërisë tone”, shtoi Osmani.

Këshilli Konsultativ për Komunitete është institucion i mandatuar me Kushtetutë që përbëhet nga përfaqësues të komuniteteve, shoqëria civile, partitë politike, si dhe zyrtarë të rëndësishëm qeveritarë.

Nëpërmjet anëtarësisë së tij të përzier, si dhe pozitës së tij strategjike në kuadër të Zyrës së Presidentit, ky këshill u ofron pjesëtarëve të komuniteteve një forum përmes së cilit mund të monitorojë dhe të ndikojnë në procesin ligjvënës dhe të adresojë nevojat dhe interesat e tyre në kuadër të programeve dhe politikave qeveritare.