Gjelat e festës janë shitur/ Fermerët e Peqinit kishin këtë vit një sezon të mirë

Janë më shumë se 10 ditë deri në natën e ndërrimit të viteve e megjithatë,ashtu siç nuk jemi mësuar, në të gjithë zonën e Peqinit nuk gjen më gjela deti.

Të gjithë janë të shitur. Kjo sipas fermerëve ka ardhur si pasojë e një alarmi se këtë vit do të kishte rritje të çmimit të gjelit të detit. E megjithatë edhe rritje ka pasur.

Pas një vere të nxehtë e pa lagështirë fermerët janë përballur me rritje të cmimeve të produkteve për ushqimin e gjelave për shkak të mungesës së ushqimit në terren. E megjithatë kjo ka sjellë jo vetëm rritje të cmimit, por edhe përballjen me një punë të vështirë 1 vjeçare që duhet për rritjen e gjelit të detit.

Shumica e fermerëve këtu në zonën e Peqinit rrisin gjela deti bio, kjo i bëm ata më të kërkuar në treg dhe padyshim më të shijshëm.

Por edhe këtu nuk mungojnë rastet e abuzimeve ku tregtarë të shumtë, duke përfituar nga imazhi i mirë i kësaj zone, vijnë të shesin gjela deti të importit.