11.5 C
Tiranë
E diel, 5 Dhjetor, 2021

“Gjermania pro liberalizimit të vizave për Kosovën”

Komisioni për Punë të Jashtme dhe Diasporës i Kuvendit të Kosovës ka pritur sot në takim ambasadorin e Gjermanisë në Kosovë, Jorn Rohde, raporton Anadolu Agency (AA).

Pas mbledhjes e cila zgjati për rreth një orë, kryetari i këtij komisioni Haki Abazi tha se me ambasadorin gjerman Rohde kanë diskutuar disa çështje, me theks të veçantë liberalizimi i vizave për kosovarët.

Abazi tha se ka marrë konfirmimin nga ambasadori gjerman në Kosovë se Gjermania është e përkushtuar që ky proces i cili ka nisur tash e disa vite, të përmbyllet sa më shpejtë që të jetë e mundur.

“Përkushtimi dhe vendimi i Gjermanisë është që ky proces të përfundojë sa më shpejtë që është e mundur. Shumica e vendeve të BE-së janë pro liberalizimit të vizave për kosovarët dhe konsiderojnë që të gjitha kushtet janë përmbushur mirëpo edhe rekomandimi i ambasadorit ishte që angazhimi ynë drejtë vendeve skeptike të jetë i drejtpërdrejt meqë edhe aty nevojitet angazhim i përbashkët”, tha Abazi.

Ai theksoi se nga vizitat që delegacionet kosovare kanë në Bruksel me anëtarët e Parlamentit Evropian të cilët kanë shfaqur skepticizëm për liberalizim të vizave, janë në bisedime dhe ka përparim në ndryshimin e qëndrimeve të tyre.

Abazi tha se me ambasadorin Rohde kanë biseduar edhe për diasporën kosovare në Gjermani “e cila është urë lidhëse midis dy shteteve në të gjitha aspektet”.

Sa i përket bashkëpunimit ekonomik, Abazi tha se ka një shtim të interesimit të investimeve gjermane në Kosovë dhe mjedisi i investimeve duhet të vazhdojë në vend, sidomos me luftën ndaj korrupsionit.

Në takimin e komisionit me ambasadorit është folur edhe për dialogun Kosovë-Serbi, ku Abazi tha se janë rekomanduar nga ambasadori që ky proces të vijojë në mënyrë konstruktive dhe të mos bëhet peng për shumë çështje tjera.

Gjermania është një nga shtetet më të zëshme pro liberalizimit të vizave për shtetasit e Kosovës. Deputetë të këtij shteti vazhdimisht kanë kërkuar nga vendet skeptike që ta ndryshojnë qëndrimin dhe të votojnë pro heqjes së këtij regjimi nga Bashkimi Evropian.

Për tu Lexuar

Të Fundit

Lajme të Ngjashme