GJKKO çon për gjykim dosjen e zyrtarëve të OSHEE, akuzohen se favorizuan kompaninë italiane në një tender me vlerë rreth 1.1 mln euro

Gjykata e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar, ka kaluar për gjykim dosjen ndaj zyrtareve te Operatorit të Shpërndarjes së Energjisë Elektrike, OSHEE, të cilët akuzohen se kanë favorizuar një kompani italiane në një tender konsulence të zhvilluar në vitin 2016 me vlerë 138. 5 milionë lekë gati 1.1 milion euro.

Të pandehur për këtë çështje janë marrë anëtarët e Komisionit të Vlerësimit të Ofertave, Elis Bushati, Athinta Papa dhe Irma Dërguti. Ata akuzohen gjithashtu për favorizim të padrejtë të shoqërisë italiane, në shkelje të ligjit të prokurimit publik.

Operatori i Shpërndarjes së Energjisë Elektrike e kontraktoi kompaninë italiane, “Com Metodi” S.p.a për konsulencë në procesin e reformimit dhe ndarjes së aktivitetit të shpërndarjes së energjisë elektrike nga ai i furnizimit, i përcaktuar në ligjin e vitit 2015 “Për sektorin e energjisë elektrike”.

Ndërsa për Albana Ferraj, e cila ka mbajtur detyrën shefe e kabinetit të administratorit të OSHEE, Ardian Çela çështja është veçuar, për shkak se kjo e fundit vijon të jetë ende në kërkim. Këta persona rreth një vit më parë u akuzuan nga SPAK se kanë përfituar 131 mijë e 880 euro, me qëllim favorizimin e kompanisë italiane “Com Metodi” S.p.a në procedurën e prokurimit.