Gjoba të reja për ata që përdorin celularin në makinë

Me ndryshimet e reja, nëse e drejton mjetin duke e mbajtur celularin në dorë (edhe nëse nuk je duke folur apo shkruar mesazhe) gjoba është 5 mijë lekë.

Përdorimi i celularit gjatë drejtimit të automjetit konsiderohet si një ndër shkaqet kryesore që shkakton aksidente në Shqipëri. Ndaj, në ndryshimet e reja në Kodin Rrugor i është dhënë rëndësi forcimit të penaliteteve për ata që e përdorin celularin gjatë drejtimit të mjetit.

Por ndryshe nga ndryshimet e tjera, për përdorimin e celularit ka penalitete të ndryshme, të kategorizuara.

Me ndryshimet e reja, nëse e drejton mjetin duke e mbajtur celularin në dorë (edhe nëse nuk je duke folur apo shkruar mesazhe) gjoba është 5 mijë lekë.

Por nëse e drejton mjetin duke folur celular, atëhere gjoba është 10 mijë lekë.

Penaliteti më i rëndë është në rastet kur policia e kap drejtuesin e mjetit duke i dhënë makinës dhe duke shkruar mesazh njekohësisht. Në këtë rast, gjoba është 15 mijë lekë.

Kur shkelja përsëritet 3 herë brenda viti, atëhere gjoba dyfishohet dhe drejtuesit të mjetit i pezullohet patenta për 3 muaj dhe i hiqen edhe 10 pikë.