Gjykata Kushtetuese mblidhet sot për zgjedhjet vendore të 30 qershorit 2019

“Kushtetuesja” do të mblidhet në seancën e ndërprerë plenare për të diskutuar dhe më pas për të marrë një vendim vendim përfundimtar, nëse zgjedhjet ishin legjitime apo jo.

Sipas opinionit final të Komisionit të Venecias, Gjykata Kushtetuese nuk e ka në kompetencën e saj gjykimin si antikushtetues apo jo një proces zgjedhor si ai i zgjedhjeve vendore të vitit 2019, por kjo nuk e pengon që të ushtrojnë kontroll mbi legjislacionin zgjedhor.

Komisioni i Venecias la në fuqi zgjedhjet e 30 Qershorit dhe nuk këshillonte Gjykatën Kushtetuese që t’i përsërisë zgjedhjet e 30 Qershorit.
Ndërkohë kujtojmë se 6 bashki janë pa kryetar.

Mazhoranca është shprehur e gatshme për një përballje të parakohshme elektorale lokale me demokratët.

Presidenti Ilir Meta deri më sot ka refuzuar të dekretojë një datë për zgjedhje në ato bashki, të cilat humbën kryetarin rrugës, pasi nuk pranonte ta njihte “30 Qershorin”, por Partia Socialiste pret që Presidenti të ndryshojë qëndrim pas vendimit nga “Kushtetuesja”.

Në 6 bashki, Shkodër, Durrës, Vorë, Dibër, Rrogozhinë dhe Lushnjë pritet që të zhvillohen zgjedhje të parakohshme lokale.