Rama nesër në Beograd për takimet e radhës së Open Balkan

Kryeministri Edi Rama do të jetë nesër i pranishëm në Beograd për takimet e radhës për Open Balkan që pritet të zhvillohen në datat 3 dhe 4 nëntor.

Zyra e kryeministrit ka konfirmuar për Euronews Albania se nuk ka asnjë ndryshim plani për takimin e nesërm, pas dorëheqjes së Zoran Zaev nga posti i kryeministrit të Maqedonisë së Veriut.

Pritet që në takimin e nesërm të jetë i pranishëm në Beograd një përfaqësues i qeverisë së Maqedonisë së Veriut.

Një ditë më parë presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuçiç vuri në dyshim zhvillimin e takimeve në Beograd, pasi në një postim në Facebook u shpreh: Mbështetje e fortë Open Balkan.  A duhet të mbajmë apo shtyjmë një takim në Beograd, duke marrë parasysh ngjarjet në Shkup?”.

Open Balkan është një nismë mes Shqipërisë, Maqedonisë së Veriut dhe Serbisë. E njohur më herët si Mini-Shengeni Ballkanik, nisma ka nxitur debat mes vendeve të Ballkanit, ku Kosova, Mali i Zi dhe Bosnje-Hercegovina nuk kanë pranuar të angazhohen.

Në fund të muajit korrik liderët, Rama, Zaev dhe Vuçiç firmosën 3 marrëveshje:

  • Memorandumin e Mirëkuptimit për Lehtësimin e Importit, Eksportit dhe Lëvizjes së Mallrave në Ballkanin Perëndimor.
  • Marrëveshjen Bashkëpunimit për Mbrojtjen dhe Shpëtimin nga Katastrofat në Ballkanin Perëndimor.
  • Memorandumin për lëvizjen e tregut të punës në rajon, lidhur me lejen e qëndrimit të përkohshëm.