Greqia blen 6 avionë luftarakë nga Franca, nxiten tensionet me Turqinë

Greqia mori 6 avionët e parë luftarakë “Rafale” nga Franca, të blerë sipas një marrëveshjeje të mbrojtjes me Parisin.

Ky veprim ka nxitur më tej tensionet me rivalin historik të Athinës dhe partnerin e NATO-s, Turqinë.

Athina ka porositur gjithsej 24 avionë të prodhuar nga Dassault me një kosto prej më shumë se tre miliardë euro ndërsa kërkon të modernizojë forcat e saj të armatosura mes një mosmarrëveshjeje të gjatë me Turqinë mbi burimet energjetike në Mesdheun lindor.

Gjashtë avionët Rafale, të shoqëruar nga dy avionë luftarakë Mirage, kryen një provë përpara se të zbarkonin, në bazën ajrore Tanagra pranë Athinës.

“Ne jemi përsëri në një pozicion për të përmirësuar aftësitë tona mbrojtëse dhe ardhja e këtyre avionëve në një kohë rekord nënkupton angazhimin për të investuar vazhdimisht në kapacitetin parandalues të vendit, në respekt të plotë për pozicionin në të cilin ndodhemi”, u shpreh kryeministri i Greqisë, Kyriakos Mitsotakis.

Ai shtoi se marrëveshja me Francën po kontribuonte në strategjinë e Evropës për autonomi.

Parlamenti i Greqisë ratifikoi një pakt mbrojtës me Francën, një aleate e NATO-s, ku ata do t’i vinin në ndihmë njëri-tjetrit në rast të një kërcënimi të jashtëm.

Franca thotë se marrëveshja nuk ka qëllime ndaj një vendi të tretë, por Greqia, që ruan krahun juglindor të Bashkimit Evropian, duhet të mbrohet.