Turqia do të dërgojë “tren bamirësie” me 700 tonë ushqime, veshje dhe produkte shëndetësore në Afganistan

Presidenti i Turqisë, Recep Tayyip Erdoğan, njoftoi se vendi i tij do të dërgojë një “tren bamirësie” në Afganistan që do të transportojë mallra emergjente, raporton Anadolu Agency (AA).

Duke folur pas një takimi të kabinetit në kryeqytetin Ankara, Erdoğan tha se treni, me 700 tonë ushqime, veshje dhe produkte shëndetësore dhe emergjente, do të dërgohet me mbështetjen e dhjetë organizatave joqeveritare nën koordinimin e Agjencisë për Menaxhimin e Fatkeqësive dhe Emergjencave të Turqisë (AFAD).

Agjencitë e ndihmës e përshkruajnë gjendjen e rëndë të Afganistanit si një nga krizat humanitare me rritjen më të shpejtë në botë.

Sipas zyrës së koordinimit humanitar të OKB-së, OCHA, gjysma e popullsisë tani përballet me uri akute, mbi nëntë milionë njerëz janë zhvendosur dhe miliona fëmijë janë jashtë bankave shkollore.

Javën e kaluar, OKB-ja dhe partnerët e saj nisën një apel financimi prej 4,4 miliardë dollarësh për të shmangur një katastrofë humanitare në Afganistan në vitin 2022.

Shefi i OKB-së, Antonio Guterres, ka paralajmëruar se miliona afganë janë në prag të vdekjes, duke i kërkuar bashkësisë ndërkombëtare të lirojë asetet e ngrira të Afganistanit dhe të fillojë sistemin e tij bankar.