Grupi Balfin bëhet pronar i vetëm i Tirana Bank, blen edhe aksionet e Komercijalna Banka

Konsorciumi i përbërë nga grupi Balfin dhe Komercijalna Banka e finalizoi blerjen e 98.83% të aksioneve të Tirana Bank nga Grupi Bankar i Pireut në mars të vitit 2019, për 57.3 milionë euro.

Grupi Balfin është që nga kjo javë pronar i vetëm i Tirana Bank. Grupi ka zyrtarizuar blerjen e paketës së aksionerit të pakicës, bankës maqedonase Komercijalna Banka. Grupi Balfin ka paguar rreth 2.72 milionë euro për 9.88% të aksioneve të Tirana Bank që mbaheshin nga banka maqedonase.

Konsorciumi i përbërë nga grupi Balfin dhe Komercijalna Banka e finalizoi blerjen e 98.83% të aksioneve të Tirana Bank nga Grupi Bankar i Pireut në mars të vitit 2019, për 57.3 milionë euro. Po në mars, grupi Balfin bleu edhe paketën e mbetur prej 1.17% të aksioneve që mbaheshin nga shtetasi grek Ioannis Tzivelis, për rreth 315 mijë euro.

Roli i bankës maqedonase në konsorciumin që bleu Tirana Bank duket se ishte provizor, në funksion të përmbushjes së kushtit që të paktën një nga blerësit të ishte investitor i specializuar, rekomandim i artikuluar shpesh nga Fondi Monetar Ndërkombëtar në procesin e shitjes së disa prej bankave tregtare në Shqipëri.

Në fund të tremujorit të tretë, Tirana Bank raportonte aktive totale në vlerën e 71 miliardë eurove. Me 5.2% të tregut, Tirana Bank është aktualisht banka e shtatë për nga madhësia në tregun bankar shqiptar. Pas blerjes nga grupi Balfin Tirana Bank ka nisur një cikël të ri të rritjes në treg. Nga marsi 2019, kur u zyrtarizua shitja, deri në fund të shtatorit 2020, totali i aktiveve të bankës është rritur me 14%.

Gjatë kësaj periudhe, Tirana Bank ka qenë ndër bankat më aktive në kredidhënie. Në një vit e gjysëm, portofoli i kredisë është zmadhuar me 69%. Tirana Bank është huadhënësi i pestë më i madh i ekonomisë shqiptare, me 6.6% të portofolit total.

Pas kalimit të pronësisë, edhe performanca financiare e bankës është përmirësuar ndjeshëm. Viti 2019 u mbyll me një fitim neto prej 400 milionë lekësh, ndërsa deri ën fund të 9-mujorit 2020 rezultati financiar është pozitiv në vlerën 608 milionë lekëve dhe kthimi nga kapitali në nivelin 8.5%. Mbështetur në raportimin e fundit tremujor, Tirana Bank ka një rrjet prej 35 degësh dhe 475 punonjës. /Monitor