Hapen sërish universitetet në disa pjesë të Afganistanit

Universitetet shtetërore në provincat jugore të Afganistanit kanë rifilluar punën, raporton Anadolu Agency (AA).

Në provinca të tilla si Kandahar, Helmand, Uruzgan dhe Nimruz, studentët dhe studentet janë kthyer në bankat e universiteteve.

Studentët për AA u shprehën të kënaqur me rihapjen e institucioneve arsimore.

“Gratë dhe vajzat, të cilat përbëjnë gjysmën e shoqërisë, nuk duhet të neglizhohen. Sepse edhe gratë kontribuojnë në zhvillimin dhe përparimin e vendit. Autoritetet duhet të konsiderojnë seriozisht arsimimin e grave dhe vajzave”, tha studentja e Universitetit Kandahar, Zehra Erguvan.

Muhammad Ilyas Ilham ka kërkuar nga administrata talebane të rrisë mundësitë kur bëhet fjalë për arsimin.

“Ne të gjithë mbështesim kthimin e djemve dhe vajzave afganë në universitetet anembanë vendit”, tha Deborah Lyons, kreu i Misionit të Kombeve të Bashkuara për ndihmë në Afganistan (UNAMA) dhe i dërguar special i OKB-së.

Ajo bëri thirrje për programe bursash për studentët dhe shkencëtarët afganë.

Zëvendësministri i Arsimit të Lartë në qeverinë e përkohshme talebane, Abdulbaki Hakkani njoftoi se universitetet shtetërore do të hapen më 2 shkurt, por në pjesët më të ngrohta të vendit. Ai tha se universitetet shtetërore në pjesët më të ftohta të Afganistanit do të hapen në fund të shkurtit.

Sipas Ministrisë së Arsimit të Lartë, ka 40 universitete publike dhe 150 universitete private në të gjithë Afganistanin.

Në shtator të vitit të kaluar, Hakkani tha se “sistemi i arsimit të përbashkët është kundër vlerave islame dhe kombëtare”.

Ai tha se në periudhën në vijim studentët meshkuj dhe femra do të kenë ligjërata në objekte të veçanta, në universitete ku kjo është e mundur për shkak të hapësirës. Siç tha ai, në universitetet ku nuk është e mundur të bëhet kjo, studentët meshkuj dhe femra do të vijnë në ligjërata në periudha të ndryshme.

Universitetet në Afganistan pezulluan arsimin për shkak të COVID-19 përpara se talebanët të merrnin kontrollin e vendit.

Pasi talebanët morën kontrollin e Afganistanit, universitetet private filluan të funksionojnë në shtator të vitit 2021 ndërsa universitetet shtetërore mbetën të mbyllura.