Hapja e 114 kutive/ Deri tani tre fletë votimi konsiderohen të vlefshme për PS, vetëm një për LSI. Vijon numërimi në Berat

KAS ka marrë vendimin që të rihapen kutitë në qarkun e Beratit dhe të numërohen sërish votat

Procesi ka nisur dhe deri tani janë kontestuar dy fletë votimi në qendrën e votimit 33 dhe 32. Një prej fletëve është konsideruar e vlefshme për subjektin PS, ndërsa një tjetër është konsideruar e vlefshme në favor të LSI-së.

Në qendrën e votimit 3458/1 janë kontestuar katër fletë votimi, 2 prej të cilave janë konsideruar të pavlefshme, ndërsa 2 të vlefshme për subjektin PS. Me shumicë votash, KAS vendosi rinumërimin dhe rivlerësimin e 114 kutive të votimit të Qarkut Berat.

LSI në kërkesën fillestare kërkoi hapjen e 114 kutive të votimit, por më pas kërkoi rinumërimin dhe rivlerësimin e 277 kutive të të gjithë qarkut të Beratit. PS mbështeti kërkesën e parë për 114 kutitë duke nënvizuar se nëse do të ketë ndryshim rezultati nga rinumërimi i këtyre kutive, do të rinumërohen të gjitha.

Një ditë më parë KAS vendosi me shumicë votash të anëtarëve që të rrëzojë kërkesat e PD dhe LSI për shpallje pavlefshmërie në Berat dhe Gjirokastër. Në lidhje me ankimimet për Qarkun Berat administrata e KQZ shqyrtoi materialet zgjedhore për 24 kuti për këtë qark, për të gjetur parregullsi me kërkesë  të LSI-së. Kujtojmë se LSI ka humbur një mandat në Berat për 77 vota