Presidenti i Republikës së Kosovës, Hashim Thaçi, pas mosanëtarësimit të Kosovës në Interpol, deklaroi se rrugëtimi i së ardhmes duhet të jetë normalizimi i plotë i raporteve me Serbinë, transmeton Anadolu Agency (AA).
Thaçi në një deklaratë për mediat nga Dubai, ku u mbajt Asambleja e 87-të e Përgjithshme e Organizatës Ndërkombëtare të Policisë (Interpol), deklaroi se Interpoli është një mekanizëm i rendit dhe ligjit dhe se Kosova ka dëshiruar të jetë vetëm pjesë e kontributit të paqes, stabilitetit, të luftës globale kundër korrupsionit, krimit të organizuar, terrorizmit, luftës kibernetike dhe fenomeneve tjera negative.
“Për fat të keq kjo gjë sot iu mohua padrejtësisht Kosovës. Në të njëjtën kohë përpos zhvillimeve të brendshme, kjo duhet të qartësojë edhe një herë gjithë opinionin në Kosovë se definitivisht Kosova dhe Serbia në vend që ta pengojnë njëra-tjetrën, duhet të arrijmë marrëveshjen përfundimtare një herë e përgjithmonë, atë të normalizimit që nënkupton lëvizjen e shpejtë evropiane për të dy vendet, përndryshe do të paguajnë çmim të dy vendet tona duke e penguar njëra-tjetrën”, tha ai.
Duke u shprehur se Kosova ka merituar dhe i ka plotësuar të gjitha kriteret për këtë anëtarësim, Thaçi tha se “Kosova kësaj radhe ka plotësuar të gjitha kriteret dhe standardet. Rrugëtimi i së ardhmes duhet të jetë normalizimi i plotë i raporteve të Kosovës me Serbinë si dy shtete të pavarura dhe sovrane”.
“Unë nuk i besoj rrugëtimit palestinez të Kosovës, i besoj një vendimi të përhershëm të negociatave dhe të përmbylljes një herë e përgjithmonë të procesit Kosovë-Serbi. E theksoj një vend që ka kryer masakra, spastrim etnik dhe përmasa gjenocide kundër shqiptarëve në Kosovë mos presim që nuk do t’na pengojë. Por kur po na pengojnë edhe përkundër angazhimeve tona maksimale dhe sot në një mekanizëm që s’është fare politik, por rendit dhe ligjit, atëherë me të vërtet është diçka e tepërt”, shtoi ai.
Thaçi më tej ftoi gjithë spektrin politik dhe institucional për unitet për një platformë të përbashkët shtetërore për një marrëveshje të përhershme me Serbinë, e cila sipas tij nënkupton njohjen reciproke dhe anëtarësimin automatik të Kosovës në të gjitha organizatat ndërkombëtare, duke përfshirë edhe NATO-n, BE-në edhe OKB-në.
“Ne duhet të jemi në një linjë të plotë me SHBA-të, BE-në që të përmbyllim dialogun Kosovë-Serbi me një marrëveshje të përhershme që zgjidh problemet një herë e përgjithmonë”, tha ai.
“Nuk jemi vende të para dhe të fundit që kemi zhvilluar luftë mes veti, nuk jemi vende të para dhe të fundit që kemi pasur konflikte, nuk jemi vende të para dhe të fundit që zhvillojmë negociata, përderisa Gjermania dhe Franca kanë arritur marrëveshje pas Luftës së Dytë Botërore pse mos të arrijnë marrëveshje Kosova dhe Serbia, për një marrëveshje paqësore”, theksoi Thaçi.
Kujtojmë se sot Asambleja e Përgjithshme e INTERPOL-it, në sesionin e saj të 87-të votoi kundër anëtarësimit të Policisë së Kosovës në këtë organizatë.



