Irani kërcënon me tërheqje nga marrëveshja bërthamore

"Vendet e BE-së dhe vendet tjera të përkushtuara me marrëveshjen bërthamore e dinë se Irani nuk do të qëndrojë nëse nevojat e saj ekonomike nuk plotësohen me kornizën e marrëveshjes", tha Zarif

Ministri i Punëve të Jashtme të Iranit, Javad Zarif, ka kërcënuar se Irani do të tërhiqet nga marrëveshja bërthamore e vitit 2015 nëse nevojat e vendit të tij nuk do të përmbushen, transmeton Anadolu Agency (AA).

“Vendet e BE-së dhe vendet tjera të përkushtuara me marrëveshjen bërthamore e dinë se Irani nuk do të qëndrojë nëse nevojat e saj ekonomike nuk plotësohen me kornizën e marrëveshjes”, tha Zarif për agjencinë e lajmeve të Asamblesë Konsultative Islame (ICANA).

Zarif tha se vendet e BE-së kanë hasur vështirësi për gjetjen e një vendi drejtues të sistemit SPV të mjeteve për qëllime të veçanta, i zhvilluar si një mekanizëm i konvertimit financiar që nuk përfshihet nga sanksionet e SHBA-ve.

Kryediplomati iranian theksoi se të gjitha vendet kanë të drejtë të kërkojnë mënyra alternative për të mbrojtur interesat e tyre kombëtare.

Ditën e djeshme, zv/ministri i Jashtëm iranian, Abbas Araghchi, tha se vendet e kërcënuara nga SHBA-të mendohet të zhvendosen në sistemin SPV.

Në muajin gusht, pak muaj pasi Washingtoni u tërhoq nga marrëveshja bërthamore e vitit 2015 me Teheranin, SHBA-të vendosën sanksione të reja ekonomike për Iranin, të cilat kryesisht synonin sektorin bankar të vendit.

Vala e dytë e sanksioneve të ri-imponuara amerikane mbi eksportuesin e tretë më të madh të OPEC-ut, zyrtarisht nisi më 5 nëntor duke synuar energjinë e Iranit, ndërtimin e anijeve dhe sektorët financiarë.