Humbja ndaj Kukësit, largon trajnerin Cungu nga pankina e Laçit…

Çdo gjë është mbyllur mes palëve dhe në orët në vazhdim pritet që të zyrtarizohet largimi i trajnerit Armando Cungu nga drejtimi i skuadrës kurbinase

Armando Cungu nuk do të jetë më trajneri i skuadrës kurbinase të Laçit. Humbja e djeshme ndaj Kukësit, si dhe tri barazimet e tjera në 4 javët e para të Superligës, kanë ndikuar që drejtuesit të marrin vendim për largimin e trajnerit shkodran.

Çdo gjë është mbyllur mes palëve dhe në orët në vazhdim pritet që të zyrtarizohet largimi i Cungut nga drejtimi i skuadrës së Laçi.

Më herët, pas barazimit të Laçit në shtëpi me Kastriotin, u përfol për një largim të teknikut shkodran, por që në ditët në vijim rezultoi të mos ishte e vërtetë. Mirëpo kësaj here, mësohet se ka qenë vetë Armando Cungu, që e ka konfirmuar lamtumirën nga kampi kurbinas.

Këta të fundit, tashmë duhet të mendojnë për një teknik të ri, teksa objektivat e klubit laçian këtë sezon janë maksimale, duke qenë se në merkaton e verës u investuan te disa futbollistë cilësorë për të rritur nivelin e ekipit.