Ibrahim Kalın: Deklarata e qeverisë izraelite për aneksim, hap i ri i politikës okupuese

"Në drejtimin e fuqishëm të presidentit tonë Recep Tayyip Erdoğan, Turqia do të vazhdojë të qëndrojë pranë popullit palestinez në kauzën e tij të drejtë dhe legjitime", tha zëdhënësi i Presidencës së Turqisë, İbrahim Kalın

Zëdhënësi i Presidencës së Turqisë, İbrahim Kalın tha se deklarata e qeverisë së re të Izraelit për aneksimin e njësive të vendbanimeve në Bregun Perëndimor dhe të Luginës së Jordanit, është një hap i ri i politikës okupuese të Izraelit, transmeton Anadolu Agency (AA).

Në një deklaratë me shkrim Kalın ka bërë një vlerësim lidhur me “planin okupues të Izraelit për Bregun Perëndimor”.

“Deklarata e bërë gjatë ceremonisë së betimit nga qeveria e re e themeluar në Izrael se do të aneksojë njësitë e vendbanimeve në Bregun Perëndimor dhe të Luginës së Jordanit, është një hap i ri i politikës okupuese të Izraelit që injoron ligjin ndërkombëtar”, tha Kalın, duke vënë theksin se bota duhet t‘i thotë ndal kësaj “pamaturie”.

Ai tha se “Asnjë plan dhe përpjekje që injoron popullin e Palestinës nuk ka legjitimitet”.

“Janë partnerë të këtij krimi ata që mbështesin drejtpërdrejt ose indirekt aneksimin dhe planet e okupimit. Problemi në çështjen palestineze është vetë okupimi. Ne refuzojmë ashpër edhe hapat kundrejt ndryshimit të statusit fetar, historik dhe ligjor të Kudsit. Për ne Kudsi është vija jonë e kuqe. Kudsi është i shenjtë për ne, është amanet dhe të gjithë ata që tradhëtojnë këtë amanet do të japin llogari para historisë”, tha Kalın duke shtuar se:

“Tokat e Palestinës u takojnë palestinezëve. Askush nuk ka të drejtë të japë padrejtësisht as edhe një pëllëmbë të saj. Vendet islame duhet të hedhin në mënyrë urgjente hap për këtë çështje dhe duhet të mbrojnë territoret dhe popullin e Palestinës përballë politikave okupuese dhe aneksuese të Izraelit. Në drejtimin e fuqishëm të presidentit tonë Recep Tayyip Erdoğan, Turqia do të vazhdojë të qëndrojë pranë popullit palestinez në kauzën e tij të drejtë dhe legjitime”.