IBU hap Qendrën për Mësim Online në kuadër të masave kundër koronavirusit

Nga 23 mars 2020, ditë e hënë, fillohet me arsim online 100 për qind përmes adresës www.elearning.edu.mk, duke i përfshirë të gjithë fakultetet, tha IBU

Universitet Ndërkombëtar Ballkanik (IBU) në Shkup ka hapur Qendër për Mësim Online, pas mbylljes së të gjitha institucioneve arsimore në Maqedoninë e Veriut në kuadër të masave për mbrojtje nga pandemia e koronavirusit COVID-19, transmeton Anadolu Agency (AA).

Në një deklaratë nga universiteti thuhet se IBU plotësisht i implementon masat e ndërmarra nga institucionet shtetërore në luftën kundër virusit dhe në drejtim të përkushtimit ndaj procesit arsimor, duke përdorur teknologjitë dhe mundësitë e kohës moderne, ka hapur Qendrën për Mësim Onlajn, përmes të cilës mundësohet proces arsimor 100 për qind onlajn përmes video-ligjeratave, shkëmbimit të materialeve elektronike dhe interaktivitet i plotë mes profesorëve dhe studentëve.

“Kjo platformë digjitale është integruar edhe në sistemin për e-mësim ‘Hello’ që është produkt i universitetit, me çka është lehtësuar tejmase qasja e profesorëve dhe studentëve në procesin e mësimit onlajn”, thuhet në deklaratë.

Përmes këtij projekti, ligjëruesit mund t’u drejtohen studentëve përmes kompjuterëve me anë të Qendrës për Mësim Online nga shtëpitë e tyre, ose duke ardhur në universitet.

Në deklaratë thuhet se pilot-projekti për mësim nga distanca fillimisht ishte hapur për studentët e Fakultetit të Mjekësisë.

“Pas mësimeve të suksesshme, nga 23 mars 2020, ditë e hënë, fillohet me arsim online 100 për qind përmes adresës www.elearning.edu.mk, duke i përfshirë të gjitha fakultetet”, tha IBU.