Mbërrin për lexuesit botimi i fundit anastatik i vitit 2019 ‘Alfabetarja’

Fondacioni “ALSAR”, në vijimësi të përpjekjeve të tij modeste për pasurimin kulturor e shpirtëror të shoqërisë shqiptare, si dhe për lënien e një trashëgimie të rëndësishme për brezat që do të vijnë, risjell sot për lexuesit botimin anastatik të kopjes së "Alfabetares".Botim anastatik i kopjes së alfabetares që Sami Frashëri ia dhuroi Sulltan Abdulhamidit II.
Fondacioni “ALSAR”, në vijimësi të përpjekjeve të tij modeste për pasurimin kulturor e shpirtëror të shoqërisë shqiptare, si dhe për lënien e një trashëgimie të rëndësishme për brezat që do të vijnë, risjell sot për lexuesit botimin anastatik të kopjes së “Alfabetares”.Botim anastatik i kopjes së alfabetares që Sami Frashëri ia dhuroi Sulltan Abdulhamidit II.
RRETH KËTIJ BOTIMI
Zgjimet intelektuale të një populli janë shenja të vetëdi¬jësimit për qenien e tij. Brumosja me këtë vetëdije nis prej lëvrimit të gjuhës, mjetit nga spikatin dallueshmëria, veçantia në shumësinë e popujve dhe të etnive të tjera njerëzore.
Sfida e shkrimit të duhur të shqipes dhe e përhapjes së tij në masat e gjera të popullit, veçanërisht mësimi i gjuhës shqipe në shkollë, i pati munduar veprimtarët e Rilindjes Kombëtare të shqiptarëve që kur ata nisën të përvijojnë në mendje rrugën që duhej të ndiqnin bashkëkombasit për të dalë më vete dhe për të zënë vendin e tyre në histori. Këta kishin qenë për shekuj nën një perandori të madhe, në majat e së cilës do të gjendeshin kohë pas kohe si nëpunës të niveleve të larta. Me fillimin e fundit të kësaj perandorie,elita shqiptare mori mbi vete përgjegjësinë e shtrimit të një rruge të re.
Kjo elitë e formuar në atë perandori,dhe që akoma punonte në të dhe për të, do të duhej ta përgatiste popullin e vet për një të ardhme të re. Stambolli, kryeqendra e Perandorisë Osmane, shërbeu shpesh dhe si qendër e veprimtarisë së figurave të kësaj elite.
Sami Frashëri, Pashko Vasa dhe Jani Vreto, të ushqyer nga kjo frymë e kohës, nxorën në shkurtin e vitit 1879 një libër me titull “Alfabetare e gjuhësë shqip”. Është i njëjti vit në të cilin krijohet dhe Shoqëria e të Shtypurit Shkronja Shqip. Lidhja Shqiptare e Prizrenit (1878) u ka paraprirë këtyre zhvillimeve.
“Alfabetarja e gjuhësë shqip” nuk ishte vetëm një punim gjuhësor, një libër i thjeshtë për të mësuar alfabetin e shqipes. Autorët e “Alfabetares” ishin njerëz me dije të gjera enciklopedike, si e gjithë ajo elitë shqiptarësh. Ata i dhanë dhe frytit të kësaj përpjekjeje të përbashkët intelektuale një karakter enciklopedik.
Alfabetarja e tyre përmban shkrime për gjuhën shqipe, për origjinën dhe historinë e shqiptarëve, për gjeografinë e Shqipërisë dhe të botës, për moralin njerëzor e shoqëror, si edhe njohuri të veçanta për matematikën, si një dije e domosdoshme për këdo. Ky është libri i parë i kësaj natyre në gjuhën shqipe.
“Alfabetarja”, si një abetare e gjuhës shqipe dhe një vepër me njohuri enciklopedike të paraqitura me një gjuhë të thjeshtë e të kuptueshme për të gjithë shqiptarët, u bë vepra e parë kulturore kolektive e Rilindjes Kombëtare të popullit shqiptar.
Autorët e saj, që vinin nga krahina e besime të ndryshme fetare, u bashkuan dhe u frymëzuan për të hartuar këtë vepër nga ideja e lartë e vetëdijësimit kombëtar dhe e kulturimit të popullit. Kjo Alfabetare qëndron në rrugën e historisë së shqiptarëve si një gur themeltar, duke shënuar fillimin e lëvizjes së gjerë kulturore e arsimore të Rilindjes Kombëtare.
Kur shekulli i ri të agonte, atëherë do të shfaqej horizonti i ndritur i shkrimit të ëndërruar të shqipes. Vepra e përbashkët e Sami Frashërit, Pashko Vasës dhe Jani Vretos gjendet në themelet e shqipes që njohin shqiptarët edhe në ditët e sotme. Ajo u botua me një tirazh shumë të madh për kohën dhe u përhap gjerësisht në vilajetet shqiptare.
Kjo vepër nuk u botua pa lejen e atij që ishte në krye të perandorisë së asaj kohe. Sulltan Abdylhamidi II mori madje si dhuratë një kopje të “Alfabetares”, të veçantë në veshje dhe me një kushtim për të. Është për të ardhur keq për pretendimet që janë shfaqur tani së fundi për “zbulimin” e Alfabetares. Kjo vepër ka qenë gjithnjë e njohur dhe e përmendur. Rreth saj janë shkruar mjaft artikuj e studime dhe pjesë të saj janë botuar herë pas here në antologji të ndryshme dhe në veprat e autorëve si Sami Frashëri, Pashko Vasa e Jani Vreto. Kopje të saj origjinale gjenden në Shqipëri në Bibliotekën Kombëtare (Tiranë), në Bibliotekën “Marin Barleti” (Shkodër) dhe në biblioteka të disa koleksionistëve privatë. E zbuluar kohët e fundit është vetëm kopja e posaçme që iu dhurua Sulltan Abdylhamidit II, të cilën po e përdorim për këtë botim anastatik.
Kjo kopje e Alfabetares gjendet në bibliotekën e veprave të rralla të Universitetit të Stambollit (Istanbul Üniversitesi, Na¬dir Eserler Kütüphanesi).
“Alfabetarja” është vepra e njëmbëdhjetë në serinë e botimeve anastatike të Fondacionit ALSAR. Nga këtej e tutje atë do të mund ta shfletojë, ta lexojë e ta studiojë, çdo dashamirës i librit, çdo i pasionuar pas veprave të rilindasve shqiptarë.
Fondacioni ALSAR brenda marsit të vitit 2020 do të nxjerrë edhe një botim tjetër të Alfabetares, ku në një faqe do të jetë origjinali dhe në faqen tjetër tejshkrimi (transliterimi) në alfabetin e sotshëm, ashtu siç botoi edhe “Kanonizmën” e Shoqërisë së të Shtypurit Shkronja Shqip. Ky botim, i pajisur edhe me shënime filologjike, po përgatitet nga gjuhëtarë mjaft të kualifikuar, profesorët Emil Lafe, Seit Mansaku dhe Enver Hysa.
Mehdi Gurra
Kryetar i Fondacionit ALSAR
Nëntor 2019