Ilir Meta: Turqia vullnet për mbështetjen e marrëdhënieve të qëndrueshme me Shqipërinë

Presidenti i Shqipërisë, Ilir Meta, ka dekretuar ligjin "Për ratifikimin e marrëveshjes së bashkëpunimit financiar ushtarak ndërmjet Turqisë dhe Shqipërisë"

Presidenti i Shqipërisë, Ilir Meta, ka dekretuar ligjin “Për ratifikimin e marrëveshjes së bashkëpunimit financiar ushtarak ndërmjet Qeverisë së Republikës së Turqisë dhe Këshillit të Ministrave të Republikës së Shqipërisë”, transmeton Anadolu Agency (AA).

Në njoftimin nga zyra e shtypit e Presidencës së Shqipërisë thuhet se kjo marrëveshje reflekton vullnetin e vazhdueshëm disavjeçar të Republikës së Turqisë për mbështetjen e marrëdhënieve të qëndrueshme me Republikën e Shqipërisë, përmes kontributeve të drejtpërdrejta për Forcat e Armatosura të Shqipërisë.

“Nëpërmjet kësaj marrëveshjeje, jepet kontribut financiar për blerjen e shërbimeve dhe mallrave për qëllime ushtarake, duke ndikuar në rritjen e mëtejshme të ndërveprueshmërisë së Forcave të Armatosura të Republikës së Shqipërisë”, theksohet në njoftim.

Sipas Kuvendit të Shqipërisë, marrëveshja është realizuar në kuadër të bashkëpunimit dhe miqësisë me Republikën e Turqisë, si dhe me synim fuqizimin e mëtejshëm të bashkëpunimit ushtarak brenda kuadrit të marrëdhënieve të qëndrueshme miqësore.

Marrëveshja ka për qëllim të shërbejë për marrjen e financimeve në formën e grantit prej Republikës së Turqisë dhe përdorimin e tyre për blerjen e shërbimeve për qëllime ushtarake nga Shqipëria.

Marrëveshja në fjalë është nënshkruar mes palëve më 24 janar dhe 24 shkurt të këtij viti dhe u ratifikua nga Kuvendi i Shqipërisë më 23 korrik, ndërkohë hyn në fuqi 15 ditë pas botimit në Fletoren Zyrtare.

Kujtojmë se në shkurt të këtij viti mes Shqipërisë dhe Turqisë është nënshkruar plani i bashkëpunimit në fushën e mbrojtjes për vitin 2020, me qëllim forcimin dhe intensifikimin e ndërveprimit në fushën e sigurisë dhe mbrojtjes.

Turqia çdo vit ofron ndihmë për Shqipërinë në fusha të ndryshme, duke kontribuar edhe në logjistikën ushtarake.