Inceneratorët, Gjykata merr vendimin për Bllakon (Shihni ish-deputetin socialist në gjyq)

Gjykata e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar, ka vendosur sot masën ‘arrest në burg’ për ish-deputetin socialist Alqi Bllako, i arrestuar për korrupsion dhe shpërdorim detyre për çështjen e inceneratorit të Fierit. Seanca nisi në orën 11:00 dhe u zhvillua pa praninë e mediave. Gjyqtarja, Irena Gjoka vendosi ta lërë në qeli ish…

Gjykata e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar, ka vendosur sot masën ‘arrest në burg’ për ish-deputetin socialist Alqi Bllako, i arrestuar për korrupsion dhe shpërdorim detyre për çështjen e inceneratorit të Fierit.

Seanca nisi në orën 11:00 dhe u zhvillua pa praninë e mediave. Gjyqtarja, Irena Gjoka vendosi ta lërë në qeli ish deputetin e PS. Ndërkohë që vetë Bllako ka zgjedhur të mos flasë, por të përfaqësohet nga avokati i tij.

Pala mbrojtëse tha se do t’i drejtohet gjykatës duke pretenduar një masë më të lehtësuar.

Kujtojmë se sipas Strukturave të Posaçme Anti-korrupsion, ai u vetëdorëzua në polici. Ish-deputeti socialist u akuzua si i përfshirë në aferën e inceneratorëve dhe akuzohet nga SPAK për shpërdorim detyre dhe korrupsion.

Avokati i ish-deputetit socialist, Sokol Hazizaj , nga ana tij tha se vendimi i Gjykatës është në mungesë të dijenisë që ka kjo gjykatë dhe organi procedural i hetimit për Kodin e Procedurës Administrative.

“Më tepër është jo ligjore dhe jo e drejtë, la në fuqi këtë lloj vendimi që për në është tërësisht dhe haptazi jo vetëm në mungesë të respektit dhe lirisë të Alqi Bllakos, por edhe në mungesë të dijenisë që ka kjo gjykatë dhe organi procedural i hetimit për Kodin e Procedurës Administrative”, ka thënë ndër të tjera avokati i Bllakos.

Sakaq disa ditë më parë SPAK ekzekutoi 9 urdhër arreste të lëshuara për hetimin lidhur me inceneratorin e Fierit.

Mes personave ndaj të cilëve është caktuar masa ‘arrest me burg’ është edhe ish-ministri Lefter Koka dhe biznesmeni Klodian Zoto, ky i fundit në arrati.
Vetëm për 7 prej tyre është vendosur masa ‘arrest me burg’.